Nga një mbledhje e qeverisë | Foto: ZKM

Miratohet Demarkacioni në Qeveri, Kërkohet Seancë e Jashtëzakonshme në Kuvend

Qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi bashkë me marrëveshjen e presidentëve të dy shteteve, Hashim Thaçi e Filip Vujanoviq si “aneks” të saj.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se arritja e marrëveshjes mes dy presidentëve javën e kaluar “ka krijuar rrethana të reja”

Në votimin në qeveri nuk kishte asnjë votë kundër ndërsa tre anëtarë të Listës Serbe abstenuan.

“I kemi bërë konsultat e duhura ndër-institucionale. Është me rëndësi që qeveria ka qenë në nivel të detyrës, nuk i ka humbë kohë Kosovës. Ia mundësojmë deputetëve të kenë para vetes argumentet e nevojshme. Kjo e tregon se nuk kemi humbë territor dhe se me këtë realizohet e drejta e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë”, tha kryeministri Haradinaj para anëtarëve të qeverisë

Menjëherë pas mbledhjes, Haradinaj tha se do të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës një seancë të jashtëzakonshme për të enjten në orën 10.

“Shpresoj që pasnesër do të jemi unikë dhe do ta kemi një përkrahje maksimale në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Ramush Haradinaj.