Mbledhja e Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

Miratohen Vendimet për Shpronësime për Rrugën N2 dhe Autostradën

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë (N2).

Pronat gjenden në zonën kadastrale Stanovc i Epërm, në komunën e Vushtrrisë.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Pronat gjenden ne zonat kadastrale Doganaj, Soponicë, Rekë, Nikaj, Biqec, Koxhaj, Gajre, Gjurgjidell, Kaçanik, Kaçanik i Vjetër të Komunës së Kaçanikut dhe në zonat kadastrale Paldenicë dhe Pustenik të komunës Hani i Elezit.

Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Rregullorja krijon kushtet e nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri më 31 mars 2014.

Në të përcaktohen përgjegjësitë e organeve kompetente dhe vendimmarrëse, si dhe procedurat dhe kriteret për asistencë.