Komisioni për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

Miratohen në Parim Tri Projektligjet që Prekin të Drejtat e Grave në Pronë

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e procedurës jokontestimore dhe ai për trashëgiminë në Kosovë si dhe Projektligji për Noterinë bënë hapin e parë drejt miratimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.

Këto projektligje ishin ndër 5 projektligjet që u miratuan në parim nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje u caktuan edhe grupet punuese të përbëra nga anëtarë e Komisionit që do të trajtojnë këto projektligje para se ato t’i paraqiten deputetëve të Kuvendit në seancë për votim në parim.

Me miratimin e këtyre projektligjeve në Kuvend synohet që të përmirësohet pozita e gruas në shoqërinë kosovare me fokus të veçantë të drejtën e gruas në pronë.

BIRN në vazhdimësi ka paraqitur nevojën për ndryshim dhe harmonizim të legjislacionit aktual që ndikon të drejtën e grave në pronë e në veçanti në trashëgimi.

Rekomandimet e BIRN për projektligjet për trashëgiminë dhe procedurën jokontestimore synojnë që të përmirësohet roli i gruas në procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë.

Në këtë drejtim, BIRN propozon që e drejta e përfaqësimit, në rastet kur bashkëshorti vdes para trashëgimlënësit t’i njihet edhe gruas krahas fëmijëve.

Ndryshim tjetër i propozuar nga BIRN në Ligjin aktual të Trashëgimisë e që duhet të përfshihet në projektligjin e ri është edhe neni 114 pika c, e cila përcakton kushtet për përjashtimin e trashëgimtarëve.  Sipas rekomandimeve të BIRN-it ky nen duhet të precizohet në atë mënyrë që të mos lejojë dykuptimshmëri e cila do të mund të përdorej në dëm të grave.

Gjithashtu, me qëllim të evitimit të një dukurie që ngjet shpesh në rastet e trashëgimisë, ajo kur trashëgimtaret gra heqin dorë nga trashëgimi i pronës, BIRN ka propozuar që kjo të mund të bëhet vetëm në prezencën e dy dëshmitarëve të cilët nuk kanë asnjë interes juridik në pasurinë trashëgimore. Gjithashtu, në këtë drejtim BIRN ka propozuar që deklaratat e heqjes dorë nga trashëgimia të evidentohen përpos në procesverbal edhe me audio dhe video incizim.

Lidhur me projektligjin për procedurën kontestimore, BIRN është i bindur se seanca informuese e paraparë me këtë projektligj është një ndryshim pozitiv por assesi nuk pajtohet me dispozitën që trashëgimtarëve u mundësohet heqja dorë nga seanca informuese.

Në korrik të vitit të kaluar, BIRN publikoi raportin e titulluar “E drejta e Grave për Trashëgim në Pronë”, i cili raport vuri në dukje nevojën për përmirësim të infrastrukturës ligjore që rregullon të drejtat në pronë.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, vetëm 16 % e pronave të regjistruara në Kosovë janë në emër të grave.

http://kallxo.com/barazia-e-grave-ne-trashegimi-vec-ne-letra/

Sipas një studimi tjetër nga USAID, vetëm 3.8 për qind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë nga prindërit.

http://kallxo.com/hoxha-gra-mos-hiqni-dore-nga-prona/

Javën që lamë pas Ministria e Drejtësisë e mbështetur nga USAID, prezantoi Strategjinë Kombëtare të Pronës, një dokument ky që ndër të tjera synon edhe përmirësimin e pozitës së gruas dhe drejtave të saj në pronë.

KALLXO.com na vazhdimësi ka pasur në fokus të drejtat e grave në pronë duke raportuar për këtë nga procese gjyqësore, duke ndjekur e kontribuar në ndryshimet legjislative që synojnë përmirësime të drejtave pronësore të grave.

BIRN lidhur me këto projektligje ka dërguar rekomandimet në Komisionin për Legjislacion dhe janë të gatshëm të jenë pjesë aktive e grupeve punuese.

Raportet e KALLXO.com lidhur me të drejtën e grave në pronë mund t’i gjeni në këtë link.