Mbledhja e KGJK-së dhe KPK-së | Foto: KGJK

Miratim i Dyfishtë i Dorëheqjes së Zef Prendrecajt

Në një mbledhje të përbashkët të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës është miratuar dorëheqja e Zef Prendrecajt nga pozita e drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Lajmi është bërë i ditur nga një komunikatë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në të cilën sqarohet se në bazë të kushtetutës dhe ligjeve Zyra e Prokurorit Disiplinor u shërben si KGJK-së, po ashtu edhe KPK-së.

“Në kuadër të kompetencave të veta të dy Këshillat kanë aprovuar sot, dorëheqjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, z.Zef Prendrecaj”, thuhet në komunikatë.

Komunikata tregon arsyen e dorëheqjes së Zef Prendrecajt.

“Z.Prendrecaj i ka shërbyer kësaj zyre nga qershori i vitit 2012 e deri më tani, ndërsa tani është zgjedhur prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, vijon komunikata.

Ushtrues detyre në pozitën e Zef Prendrecajt është emëruar Arianit Salihu.

“Gjithashtu, në këtë takim në mbështetje të Ligjit për KGjK dhe KPK, me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm të dy Këshillave, është emërua z.Arianit Salihu, ushtrues detyre i Drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, i cili aktualisht është prokuror disiplinor në  ZPD”, thuhet në komunikatë.

KGJK-ja sqaron se edhe katër kandidatë kishin konkurruar për pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.