Miq të Jetës në Kosovë:

Para dy vitesh ne filluam botimin e “Prishtina Insight”, gazetës së vetme në gjuhen angleze në vend e cila del çdo dy javë. Atë e patëm nisur nga nevoja dhe frustrimi se sa të painformuar na dukeshin ndërkombtarët të cilët i merrnin vendimet e mëdha për Kosovën. Këta vendimarrës informatat për popullatën kosovare i pranonin nga përmbledhja e mekur e titujve ditorë në formë të Clippings që u vinte në zyret e tyre me ajër të kondicionuar e të rrethuara me mure të trasha e nivele të ndryshme të personelit të sigurimit. Tash “Prishtina Insight”, e udhëhequr nga Lawrence Marzouk, ka krijuar mjaft abonues e lexues për të ofruar hapsirën për një informim të drejtë dhe mundesi komunikimi ndërmejt shtresave të ndryshme të qeverisjes. Nga komunikimi ynë i përhershëm me lexuesit është kërkuar më shumë insistim që më në fund të kemi një gazetë javore në shqip. 

Pse gazete Javore?

Si çdo herë në vendin tonë më shumë ka skeptikë se sa përkrahës për ide të reja. Shumë më  shpesh kam dëgjuar argumente të llojit: nuk ka treg për gazetë javore, nuk ka potencial dhe klasë intelektuale me kondicion të majftueshëm për të mbajtur gjallë debatin më gjatë se një ditë, kemi problem me njerëz që nxjerrin ide të mëdha dhe që tejaklojnë analizat ditore, kosovarët ndjehen inferiorë ndaj të tjerëve në rajon, edhe ndaj Shqipërisë, e mos të flasim kundrejt ndërkombtarëve.

Të gjitha këto argumente skeptike, paragjykime për vehten, ide që zmbrapsin, në fakt kanë qenë arsyeja pse ekipi ynë i udhëhequr nga redaktori Artan Mustafa i ka paraqitur vehtes një detyrë kaq të madhe per t’u sfiduar në nivelin e kreativitetit dhe inovacionit për të tejkaluar jo vetëm vështirësitë për krijimin e një platforme shtjellimi dhe përsjatjeje intelektuale të temave me rëndësi jetike për shoqërinë dhe shtetin, por edhe për t’i bindur skeptikët që shoqëria jonë mund të transformojë tendencën për të qenë sipërfaqësore dhe reaktive ndaj proceseve dhe një perdorues emocional e i padrejtim i platformave sociale në internet (Facebook, Twiter, My space, blogs). Ne duhet të ofrojmë mundësinë që kosovarët të transformohen në kontribues të debateve të brendshme dhe ndërkombëtare, në pranues mirë të informuar të trendeve botërore – qofshin ato të krizës financiare që po kalon bota, zhvillimeve në lindjen e mesme dhe Afrikën Veriore dhe ndikimin e tyre ne gjeopolitikën globale -, ndryshimin e konceptit zhvillimor prej ekonomisë së tregut bazuar në konsum në zhvillimin e ekonomisë së tregut që bën fuqizimin e ekonomive lokale bazuar në rigjenerim dhe përkujdesje të resurseve për gjeneratat e ardhshme përfshirë këtu edhe debatin për ngrohjen globale.  

Mungesa e një gazete javore ka bërë që të gjitha keto tema dhe çështje strategjike të zhvillimeve në Kosovë, rajon dhe në botë të mos e kenë logjikën e lidhjes dhe ndikimit zinxhiror me njëra tjetrën. Lexuesi dhe shikuesi me të drejtë ka krijuar përshtypjen se këto janë blloqe që funksionojnë ndaras, që në fakt nuk është e vërtetë se ndikimi i proceseve është reciprok dhe për të shfrytëzuar të mirat që ofron procesi i globalizimit është e domsdoshme qe ai proces të ndikohet dhe të njihet mirë. Kjo nuk ndodhë asnjëherë nëse nuk ka hapsirë për analizë dhe debat të argumentuar dhe hapësirë për komunikim me nivele të ndryshme të shoqërisë globale.

Në Gazeta JnK ne besojmë që nëse i ofron këtij publiku diçka më të mirë, gjithsesi që ai do të jetë i interesuar, kurioz e i hapur për të përvetësuar një vështrim shumë më fleksibil, analitik, shumëdimensional e jo të një-trajtshëm për atë se si i shohim gjërat e ndryshimet që po na ndodhin neve, fqinjëve tanë e botës. 

Çka na shtynë të besojmë këtë? Mund të mos kemi përvojë të gjatë, por puna e deritashme me debatin Jeta në Kosovë na jep vetëbesim. Kur filluam me debat, atëherë ne ishim tre dhe jo pesëdhjetë sa jemi sot, na thoshin: “këtë javë shpëtuat, javën tjetër s’vjen kurrkush në program” sepse “shqipëtarët nuk janë mjaft të ngritur e tolerantë për të pasur debat të hapur”, “shqiptarët s’kanë qejf të diskutojnë në publik gjëra të ndieshme e të rrezikojnë që bota t’ua sheh të palarat”, “shqitarët nuk donë t’ju përgjigjen pyetjeve të vështira, sidomos nëse një femër, plus ma e re se ata, iu parashtron këto pyetje” etj. etj. 

Në prag të sezonës shtatëvjeçare të debatit JnK e në prag të gazetës JnK, shqiptarët më kanë dalë më të civilizuar e të hapur nga çka shqiptarët e përshkruajnë veten të jenë! Ata e kanë përvetësuar debatin si bukën – edhe bile kanë pyet a ka hala! Ndërrojini kanalet televizive e do të shihni që debat ka edhe më shumë se seri latino-amerikane! E vërtetë është që presione ka, por tabu nuk ka! Gjithkush bën debat televiziv – krejt çështjet janë të hapura për diskutim – edhe pse është e qartë që disa kanë ma shumë hapësirë për të elaboruar mendimet e tyre e disa kanë më pak. 

Tash po mendojmë që ka ardhur koha të provojmë t’i ofrojmë publikut që lexon një gazetë javore! Nuk po premtojmë shumë, por tri gjëra:

E para, që do të shfrytëzojmë përvojën e punës tonë shtatëvjeçare në debat televiziv, e cila na ka mundësuar që stafi JnK të avancojë njohuritë e veta. Përveç kësaj do të shfrytëzojmë rrejtin e njerëzve/individët e margjinalizuar dhe guximin e njerëzve për të qenë pjesëmarrës në shtjellimin e çështjeve delikate të cilët në shtatë vitet e fundit janë margaritarët specialë qe i ka JnK. Ky rrjet, së bashku me bashkëpunëtorët tanë, do të jetë shtylla e ndërtimit të të platformës për gazetën javore.

E dyta, pasi që nuk e kemi presionin e prodhimit të lajmit ditor, ne ju premtojmë që do t’i hyjmë hulumtimit të temave më thellë, të shpjegojmë e të zbulojmë prapavijën e ngjarjeve që ndodhin dhe t’i marrim krejt akterët e ngjarjes. Këtë mund ta bëjmë sepse do të kemi më shumë kohë se gazetarët ditorë për të hulumtuar një ngjarje. 

Dhe e treta: Ka qenë mision i punës tonë të ndërtojmë një sistem unik që krijon hapësirën për t’u përafruar me pavarësinë e plotë. Kjo pavarësi nuk është e dhuruar dhe këtë do ta ushqejmë me prioritet për të mirëmbajtur dhe forcuar besimin tek lexuesi dhe shikuesi. Natyrisht që strategjia jonë ka qenë dhe mbetet diversisfikimi i burimeve financiare për të mos lejuar që të jemi të varur dhe t’i nënshtrohemi presionit nga cilido përkrahës financiar apo mbështetës i punës tonë.

Financimi nga donatorë të ndryshëm, që prej taksapaguesit kosovar e deri te donatorët e jashtëm, na bën që të mos reagojmë nën presion komercial e presion politik, por vetëm të unit tonë profesional për të shkruar artikuj sa më të mirë e të informuar. Ky model i medias që funksionon si organizatë jo-qeveritare, është i rrallë jo vetëm për Kosovë por edhe për botë sa i përket pavarësisë së medias. 

Me rrjet të mirë bashkëpunëtorësh, burime që kurrë s’kanë përtuar të flasin shlirë, kohë të mjaftueshme, financa të mjaftueshme që s’krijojnë biznismen prej gazetari por që i mundësojnë atij jetë komode, mendojmë që kemi resurse të prodhojmë një gazetë të mirë. Krejt çka na mbetet është që të punojmë shumë në këtë drejtim. Na mbetet që të shkruajmë me talent e inteligjencë për temat që na rrethojnë. 

Padyshim që prej jush presim të na ndihmoni me kritikë, komente e sugjerime. Presionit të vetëm që duam t’i nënshtrohemi është presioni nga lexuesit tanë autentikë! 

Tash ju lë të klikoni nëpër artikuj e rubrika të ndryshme të cilat jemi ende duke i definuar e krijuar – kërkojmë lexues të angazhuar, andaj mos prërtoni jo vetëm të na lexoni por edhe të na shkruani! 

Mirëserdhët në Gazetën Jeta në Kosovë!

Jeta Xharra është drejtoreshë e BIRN’it për Kosovë dhe moderatore e debatit televiziv Jeta në Kosovë.