Takimi i Minxhozit me veteranët e Pejës | Foto: KALLXO.com

Minxhozi Flet për Trenin dhe Haradinajn

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi gjatë një vizite në Organizatën e Veteranëve të Luftës në Pejë foli për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë dhe veprimet e Serbisë kohëve të fundit.

Minxhozi tha se veprimet e Serbisë që lidhen me veriun e Kosovës nuk i përshtaten frymës së dialogut në Bruksel.

“Këto shantazhe do i quaja, nuk i shërbejnë kësaj fryme dhe Serbia duhet të heqë dorë nga  këto veprime të ndërmarra nga ajo dhe të inspiruara nga aktorë tjerë evropianë” tha Mixhozi.

Të shtunën një tren me simbole nacionaliste, fetare e kombëtare serbe u nis nga Beogradi me qëllimin që të udhëtojë deri në Mitrovicën Veriore, por u ndal në Rashkë dhe u kthye mbrapsht, pasi autoritetet kosovare ia ndaluan hyrjen.

http://kallxo.com/treni-nuk-leviz-nga-rashka/

Në Mitrovicën Veriore në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar pak përtej urës kryesore të lumit Ibër nisi të ndërtohet edhe një mur, të cilin Qeveria e Kosovës është deklaruar se do ta rrënojë.

Qemal Minxhozi në takimin me veteranët e UÇK-së së Pejës foli edhe për arrestimin dhe më pas mbajtjen e Ramush Haradinajt në Francë në fillim të këtij viti, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të vitit 2004 të lëshuar nga Serbia.

“Ne duhet të tregojmë kujdes për çdo qytetar shqiptar kudo qe është, aq me tepër për Ramush Haradinajn që është një personalitet i padiskutueshëm  në arritjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë duhet te thoja që në këtë kohë ne duhet tregojmë maturi duhet tregojmë kujdes,” tha ambasadori shqiptar.

Ai u tregua optimist se Haradinaj së shpejti do të lirohet nga të gjitha procedurat e hapura ndaj tij dhe do të kthehet në Kosovë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës në Pejë Gazmend Syla në takim me Minxhozin tha se ndihet krenar që reagimi i parë për arrestimin e Haraadinaajt erdhi nga shteti shqiptar.

“Kur është arrestuar Ramush Haradinaj në Francë, Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë e para ka dërguar letër në Francë, para asaj të Kosovës. Nuk e thashë bash rastësisht dhe për këtë ne jemi mirënjohës tërë jetën,” tha Syla.

Haradinaj më 12 janar u lirua me kusht nga një gjykatë franceze, por ai nuk duhet ta lëshojë këtë shtet derisa Franca të vendosë në lidhje me kërkesën e Serbisë për ekstradim të tij.

http://kallxo.com/haradinaj-lirohet-kusht/