Ministrja Albena Reshitaj në Kuvendin e Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Ministrja Tregon Masat për Përmirësimin e Ajrit

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kushtuar problemit me ndotjen e ajrit, ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, tha se çështja e ajrit dhe përmirësimi i tij është ndër prioritetet e saj.

Reshitaj theksoi se Ministria që drejton ka nisur të merret me problemin e ndotjes së ajrit jo vetëm në Prishtinë por në tërë vendin.

“Kemi kërkuar nga komunat të hartojnë planet afatshkurtra me qëllim të zvogëlimit të ndotjes. Me kërkesën time Qeveria ka formuar ‘task-forcë’ që do të merret me uljen e ndotjes”, theksoi ajo.

Ndërsa, shtoi ministrja, bashkë me Komunën e Prishtinës nga sot kanë nisur me masat afatshkurtra emergjente për përmirësimin e ajrit në kryeqytet.

“Do të përkrahen projektet e aktivitetet që kanë për qëllim energjinë e ripërtëishme”, shtoi ministrja e Mjedisit.

Sipas ministres Reshitaj ky do të jetë plani i masave nga Ministria:

Ndarja e 34 milionë eurove nga BE për ndërrimin e elektro- filterave do të bëhet këtë vit, ngase ndotja bëhet nga termo-elektranat që kanë filtera të pandërruar.

“Në masa afatmesme kemi rekomanduar të zgjerojmë rrjetin e kogjenerimit, që besoj këtë vit do të realizohet”, theksoi ajo.

Ministrja tha se kanë kërkuar nga komunat të riorganizohet dhe promovohet transporti publik si dhe të themelohet fondi për mbrojtjen e mjedisit dhe të rritet niveli i vetëdijesimit për mjedis.

“Në masat afatgjata: të zbatohen masat e strategjisë për cilësinë e ajrit, të aprovuar nga Kuvendi tek në 2013.

Të ruhen dhe mirëmbahen hapësirat e gjelbra.

Të përkrahen projektet dhe aktivitetet që kanë qëllim promovimin e energjisë së ripërtërishme”, shtoi ajo.

Në mesin e këtyre masave parashihen ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, modifikimi i TC “Kosova B” dhe mbyllja e TC “Kosova A”.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme po debatohet për ndotjen alarmante të ajrit. Seanca është iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli me mbështetjen e 40 deputetëve nënshkrues.

Dje, në mbledhjen e Kryesisë, Veseli tha se debati duhet të përfundojë me obligimin për të hartuar një strategji nacionale për  këtë çështje, e cila do të do të ofronte zgjidhje afatgjate dhe do të evitonte përsëritje të situatave të tilla.