Ministrja Nuk Fajëson BE-në, Kërkon më Shumë Punë nga Qeveria për Integrim

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha komentoi Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor të publikuar dje.

Ndryshe nga pjesa tjetër e ekzekutivit, Hoxha nuk pati shumë kritika ndaj Bashkimit Europian për trajtimin e Kosovës në këtë strategji.

Ajo tha se qeveria duhet të punojë më shumë në plotësimin e kritereve të përcaktuara nga kjo organizatë.

“Ka prej tyre që mund të thonë që BE nuk ka caktuar afat preciz për Kosovën por duhet ta shikojmë nga ana tjetër, nuk është BE që cakton afate kohore, ne ia caktojmë vetes. Nga 22 prioritetet e ERA-s e kemi zbatuar vetëm në prioritet, prgrami i MSA është zbatuar rreth 30 përqind”, tha Hoxha.

Ajo po ashtu bëri thirrje për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi që sipas saj do t’i sjellë Kosovës liberalizim të vizave.

“Sa më parë që ta bëjmë këtë aq më shpejtë do ta gëzojmë lëvizjen e lirë. U tha shumë qartë që me ratifikimin e Demarakcaionit Kosova do ta gëzojë lëvizjen e lirë, Shpresoj që në javët në vazhdim do të ketë lëvizje për këtë”, tha Hoxha.