Ministrja Bajrami Flet për Dëmet e Vendimit të Qeverisë Thaçi

Hashim Thaçi, në fund të mandatit të tij të dytë si kryeministër kishte marrë disa vendime të mëdha. Në pjesën e dytë të muajit mars të vitit 2014, kishte vendosur për krijimin e tri zonave të lira ekonomike: Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjakovës. Krijimi i zonave të lira e përfshinte gjithë zonën kadastrale të këtyre qyteteve.

“Krijohet zona e lirë ekonomike në Zonën Kadastrale të Gjakovës”, thuhet në pikën e parë të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila në atë kohë drejtohej nga presidenti aktual, Hashim Thaçi.

Në atë kohë ishte thënë se bizneset e vendosura nëpër këto tri qytete do të kenë lirime të ndryshme tatimore, por lirime të cilat asnjëherë nuk ishin specifikuar.

Për këtë Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë Hykmete Bajrami në takimin që pati në Lëvizjen Fol, tha se ky vendim nuk është implementuar asnjëherë dhe se për këtë vendim nuk ka pasur studim të fizibilitetit.

Ajo tha se Ministria e Financave asnjëherë nuk ka bërë një raport që tregon se sa do të kushtojë krijimi i jë zone të tillë.

“Ky vendimi për zonat ekonomike nuk është implementuar nga kjo qeveri fare… Krijimi dhe funksionalizimi i këtyre zonave do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës 300 – 400 deri në 500 milionë  euro më pak të hyra në vit”, tha Bajrami.

Ajo madje  tha se me këtë vendim nuk është marrë fare.

“Nuk jemi marrë aspak në implementimin e këtij vendimi… sepse ka qenë shkurt i paimplementueshëm, qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin praktik dhe ne asnjëherë s’kemi dashtë si qeveri të bëjmë dallime në komuna, sepse  punësimi i bizneseve do të varej vetëm në ato zona ekonomike dhe zonat e tjera do të rritej papunësia”, tha ajo.

“Në vendim nuk shkruan as kush është i obligueshëm me e implementu… është një vendim që është marrë në kohë fushate.”

Ajo ka folur edhe për zonat e lira ekonomike nëpër këto qytete, që janë të ndryshme prej atyre që qeveria kishte menduar t’i krijonte në këto tri qytete.

Bajrami ka thënë se në Mitrovicë dhe Prizren, kanë përfunduar kompletimet e dokumenteve, ndërsa ajo në Gjakovë as nuk ka filluar.

Sipas saj, duhet të punohet që të gjithë territorin e Kosovës ta bëjmë një zonë të favorshme ekonomike.

“Mitrovica e ka licencuar zonën ekonomike para mandatit tim. Gjakova s’e ka licencuar asnjëherë sepse kërkesën për licencim e bëjnë komunat, jo ministria… Gjakova dhe Prizreni asnjëherë se kanë bërë një kërkesë të tillë”, tha ministrja Bajrami.