Ministrit të Zhvillimit Ekonomik i Shtyhet Seanca

Seanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka dështuar sot për arsye shëndetësore të së akuzuarës tjetër të këtij rast, Eliana Naka.

Avokatja e Nakës, Teuta Zhinipotoku për KALLXO.com tha se seanca është shtyrë për arsye se e mbrojtura e saj nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë pasi që për shkak të një problemi shëndetësor, doktori i ka caktuar regjim shtrati.

Zhinipotoku tha se për këtë gjendje e ka njoftuar me parashtresë gjykatën, ndërsa tregoi se seanca e radhës është caktuar për muajin dhjetor.

Ministri Lluka dhe e Eliana Naka po akuzohen për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas aktakuzës, tani ministri Lluka në cilësinë e zyrtarit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 23 maj 2014 ka vepruar në kundërshtim me ligjin, ashtu që ka kërkuar që të fillojnë procedurat për zotimin e mjeteve prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ, ka qenë themeluesi dhe njëkohësisht ka pasur edhe pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve.

Për konflikt të interesit në këtë rast akuzohet edhe Eliana Naka e cila sipas aktakuzës, si sekretare e përgjithshme e MTI-së më 2 qershor 2014 duke vepruar në kundërshtim me ligjin, ka marrë vendim që mjetet financiare në vlerë të përgjithshme prej 20 mijë eurove të ndahen në mbështetje të OJQ-së “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ ka qenë drejtoreshë e bordit.