Ministrja, Albena Reshitaj - Foto: KALLXO.com

Ministria Pret Raportin Për Ndotësit e Ajrit në Qershor

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, sot i është drejtuar studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë për të folur rreth ndotjes së ajrit në Kosovës.

Reshitaj tha se ndotja e ajrit është sfidë për të, ekspertët e kësaj fushe dhe gjithë institucionet e Kosovës.

“Me të marrë këtë post kam parë sfidat që ka kjo ministri që po e udhëheq dhe duke biseduar me ekspertët e ministrisë kam parë kuptuar që ata përveç që e kanë konsideruar si sfidë e konsideronin edhe si frikë ballafaqimin me problematikën e ajrit në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Ministrja Reshitaj tregoi për veprimet e ndërmarra nga periudha që ajo drejton dikasterin e Mjedisit duke përmendur kështu, krijimin e task-forcës ndërministrore, parandalimin e thëngjillit në shkolla dhe kopshte, ndalimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vite, ndalimin e përdorim të thëngjillit nga punonjësit e KEK-ut dhe promovimin e transportit urban në Prishtinë.

“Kam qenë e zhgënjyer kur kam kuptuar që mbi 200 shkolla në vendin tonë ende përdorin thëngjillin si lëndë djegëse. Nëse ne nuk mendojmë për shoqërinë tonë e sidomos për moshat më të ndjeshme siç janë fëmijët dhe pleqtë atëherë çfarë po bëjmë si shoqëri, çfarë po bëjmë si institucione. Kështu që kam rekomanduar ministrin e Arsimit që të fillojë së vepruari dhe të marrë vendim që të ndërpresë përdorimin e thëngjillit në shkolla dhe kopshte fëmijësh”, tha Reshitaj.

Ministrja tregoi se në fund të muajit qershor do të jetë i gatshëm raporti nga kompania japoneze JAICA, ku do të dihet se kush janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë. Ajo pati edhe një mesazh për studentët e para të cilëve po fliste.

“Ju jeni gjenerata të reja dhe unë kam shumë besim në gjeneratat e reja në vendin tonë  të cilët do të bëjnë ndryshime pozitive në çdo sferë dhe në çdo pore të jetës së shoqërisë sonë. Pse e them këtë? Sepse investimin më të madh ne duhet ta bëjmë në ju, gjeneratat e reja sepse ju keni një mendësi të re dhe politikat në vendin tonë do të ndryshojë me një mendësi të re që është e domosdoshme  të ndodh në Republikën e Kosovës”, tha Reshitaj.

Ministrja Reshitaj, tha se edhe pse i takon fushës së mjekësisë, ajo ndihet mirë që po drejton Ministrinë e Ambientit pasi që sipas saj, duke drejtuar këtë dikaster mund të merret me shkakun dhe pasojat që i shkakton ajri i ndotur dhe të kontribuojë në parandalimin e kësaj çështje.

E para e ministrisë së Mjedisit tha se ndotja e ajrit më shumë vërehet në regjionin e Prishtinës ndërsa tregoi se kryeqyteti ka 135 pika identifikuese që bëjnë matjen e ndotjes së ajrit.