Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria Jep Shpjegime Rreth Produktit ‘Paracetamol P-500’

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka reaguar pas përhapjes në rrjetet sociale të apelit për të mos përdorur produktin “Paracetamol P-500”, për të cilin thuhej se është vdekjeprurës.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se shkrimet në media dhe postimet e ndryshme në rrjete sociale lidhur me atë se produkti medicinal “Paracetamol P 500”, i prodhuesit “Apex” po llogaritet si një produkt vdekjeprurës, nuk janë të vërteta.

“Gjithnjë sipas këtyre raportimeve, Ministria e Shëndetësisë pas informatave të siguruara nga Agjencioni Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore, njofton opinionin se produkti në fjalë nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, inspektorët e Inspektoratit Farmaceutik janë duke kryer inspektime të rregullta në tregun farmaceutik kosovar, me qëllim të evitimit të qarkullimit eventual të çfarëdo produkti, i cili nuk ka autorizim, marketing dhe të drejtë qarkullim në tregun kosovar.

Sipas informacioneve që po qarkullojnë në internet, “Paracetamol 500” përmban një virus të quajtur “machupo”, një virus ky nga më të rrezikshmit.