Ministria Eliminoi 173 Oferta për Autostradën e Gjilanit

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” të premten transmetoi hulumtimin ekskluziv për tenderin 100 milionësh për Rrugën Prishtinë- Gjilan.

Të dhënat e gjetura nga ekipi i emisionit treguan se në këtë aktivitet të prokurimit pati shkelje flagrante të Ligjit të Prokurimit Publik.

Hulumtimi tregoi se për këtë tender është vendosur në ditën e fundit të Qeverisë Mustafa.

Shkeljet e shumta çuan që ky tender të kthehet në rivlerësim për të tetë llotet. Dyshimet e ngritura nga 12 kompani që ishin eliminuar nga gara u vërtetuan nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, i cili mori vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” Ministria e Infrastrukturës synonte t’i lidhë tetë (8) kontrata në vlerë prej 99 milionë e 651 mijë eurove për ndërtimin e 22,3 kilometrave rrugë në drejtim të Gjilanit me tetë operatorë ekonomik që ishin përzgjedhur.

27 kompani kanë marrë pjesë në këtë tender të madh, të cilat kanë dorëzuar oferta në pjesën më të madhe të lloteve.

https://www.youtube.com/watch?v=07HZku0RJ0g&feature=youtu.be&t=4m57s

Por, Ministria e Infrastrukturës i ka eliminuar si të papërgjegjshme 173 oferta, duke i lënë të përgjegjshme vetëm 8 prej tyre.

KALLXO.com shkroi javën që shkoi se ky tender do të kushtonte 33 milionë më shumë sikur të nënshkruhej kontrata, për shkak të eliminimit të ofertave që ishin më të lira.

Tenderi 100 Milionësh me Shkelje Ligjore

Në lidhje me tenderin milionësh të kësaj rruge është kërcënuar me jetë kreu i Organit Shqyrrtues të Prokurimit Blerim Dina, ndërsa për këtë kërcënim në paraburgim ndodhen Naim Sallahu e Shaban Lushtaku.