Foto: Fatmir Matoshi/Facebook

Ministria e Mjedisit Inauguron Stacionin e Meteorologjisë në Skivjan të Gjakovës

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë inaugurimin e Stacionit Meteorologjik Automatik në Skivjan të Gjakovës, me rastin e Ditës Botërore të Meteorologjisë.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë zëvendësministri Fatmir Matoshi i cili tha se klima dhe moti janë pjesë shumë e rëndësishme e proceseve zhvillimore të një vendi, prandaj duke e forcuar shërbimin e meteorologjisë dhe klimatologjisë ne do të përmirësojmë edhe procesin e vendimmarrjes dhe planifikimit për zhvillimet e ardhshme.

“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tani më është edhe anëtar i rregullt i Rrjetit Evropian për Paralajmërime të Vërshimeve EFAS, dhe pjesëmarrës në aktivitetet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë (ËMO), sikurse është programi për krijimin e një platforme të përbashkët për Evropën Juglindore (regjionin e VI) në lidhje me parashikimin dhe paralajmërimin e rreziqeve nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore”, tha Matoshi.

Me këtë projekt do të bëhet regjistrimi i disa parametrave meteorologjikë siç janë: temperatura e ajrit, lagështia, shtypja atmosferike, reshjet si dhe drejtimi dhe shpejtësia e erës.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe drejtoresha e  Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete  Latifi, zyrtarë tjerë të MMPH-së, dhe zyrtarë të Komunës së Gjakovës.