Foto: MKRS

Ministria e Kulturës Themelon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka themeluar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Ky organ inspektues i MKRS-së është përcaktuar sipas ligjit për trashëgiminë dhe sot është bërë konkretizimi i tij. Sipas komunikatës së kësaj ministrie, ky inspektorat themelohet për herë të parë.

Ministri Kujtim Gashi, aktin zyrtar të konkretizimit të Inspektoratit e vlerëson si një përmbyllje të suksesshme të një politike të trashëgimisë pas një periudhe të gjatë të procedurave dhe pengesave të ndryshme administrative.

“Në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore që dalin si rezultat i legjislacionit në fuqi, rrjedhimisht ligjit për trashëgimi kulturore, si dhe në kuadër të përmbushjes së prioriteteve që kam vënë para vetes për vitin 2018, ku ruajta dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përbëjnë një dimension të veçantë, kam ndërmarr të gjitha veprimet e duhura zyrtare dhe institucionale që të bëhet themelimi i inspektoratit të trashëgimisë kulturore”, tha Gashi.

Inspektorati do të jetë një adresë edhe për ekspertët e trashëgimisë dhe krerët e institucioneve qendrore të trashëgimisë kulturore për të realizuar kontrollin dhe paraqitur parregullsitë evidente. Gjithashtu, ky organ do të jetë një mekanizëm cili do të shërbejë si instrument për parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë kulturore.

“Inspektorati është shumë i nevojshëm për fushën e trashëgimisë dhe pavarësisht vonesave do të jetë i mirëpritur për ekspertët dhe institucionet e trashëgimisë në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

Gashi shtoi se zyrtarët përgjegjës që kanë marrë detyrën, kanë përgatitjen e duhur profesionale, integritetin moral dhe intelektual si dhe siç u shpreh “duke qenë i vetëdijshëm se këta zyrtarë shtetërorë kanë para vetës shumë punë, kërkoj prej tyre angazhim maksimal në detyrën që kanë marrë, që me guxim, besnikëri dhe syqeltësi të jenë gardianë të mbrojtjes së të kaluarës sonë”, tha për fund ministri Gashi.