Ministria e Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës Fsheh Dosjet e Kontratave

ZAP liston katër dosje të pakompletuara, të cilat në total arrijnë shifrën afër 2 milion euro, e për të cilat kjo ministri nuk ka ofruar dëshmitë e kërkuara nga auditori.

“Përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme, Zyra e Prokurimit nuk na ka ofruar dosjet e plota me arsyetimin që nuk mund t’i gjejnë”, thuhet në raport.

Bëhet fjalë për dosje të kontratave për mallra dhe shërbime dhe një  për investime kapitale të cilat nuk ishin të kompletuara me ofertat e fituesve dhe me disa informacione rreth procedurave administrative të aktivitetit të prokurimit.

Dosjet e pakompletuara, sipas ZAP janë asfaltimi i rrugës Dol-Kusar-Gogen-Gjakovë, në vlerë 799,650€; marrja e 16 veturave me qira për nevojat e MI-së, në vlerë 79,104€; servisimi i automjeteve të MI-së, në vlerë 11,324€ (çmim për njësi); shërbimet e servisimit dhe mirëmbajtjes së kompjuterëve dhe llaptopëve, në vlerë 998€ (çmim për njësi.

“Po ashtu një dosje tjetër e prokurimit në vlerë 963,409€ nuk është ofruar për auditim. Sipas zyrtarëve të prokurimit kjo lëndë është marrë në shqyrtim nga Agjencia Kundër Korrupsionit por, edhe pas kërkesës sonë, për këtë nuk na është ofruar ndonjë dëshmi”, thotë ZAP.

Auditori vlerëson se mos ofrimi i të gjitha informatave/dokumenteve të kërkuara për auditim është në kundërshtim me legjislacionin dhe mund të jetë subjekt i sanksionimit. Për më tepër, pamundësia e MI-së për gjetjen e dokumenteve redukton aftësinë e menaxhmentit për monitorim dhe vendimmarrje efektive dhe vë në dyshim pajtueshmërinë ligjore të procesit të prokurimit publik

“Ekzistojnë një numër dobësish në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit si pasojë e mos zbatimit të kontrolleve, ligjeve, udhëzimeve dhe rregulloreve të prokurimit publik”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas raportit janë pesë procedura tenderimi me dosje të pakompletuara, ashtu sic kërkohet me Ligjin për Prokurim Publik.

ZAP thotë se mos zbatimi i drejtë i rregullave dhe udhëzuesve të prokurimit publik mund të rezultojë në përzgjedhjen e ofertuesve të papërgjegjshëm, shkelje të parimit të trajtimit të barabartë të tenderuesve dhe vlerë të dobët për para në praktikat e prokurimit.

Po ashtu, në të gjeturat e raportit thuhet se janë tri kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve kohëzgjatja e sigurimit të ekzekutimit nuk ishte në afatin e duhur e as në vlerën e parashikuar të kontratave publike kornizë; në katër raste raportet e pranimit të mallrave/shërbimeve të hartuara nga menaxherët e kontratave nuk ishin në formatin standard të PMK-së; në dy kontrata për mirëmbajtje të rrugëve, ndalesat/mbajtjet për 10% të pagesave për secilin situacion ishin liruar pa u përfunduar punimet, ndërsa në dy raste tjera nuk ishin aplikuar penalet për vonesat në realizimin e punimeve.

Po ashtu raporti thotë se shumica e rekomandimeve të vitit të kaluar nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë zbatuar nga Ministria e Infrastrukturës.