Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë Kritikon Kuvendin për Rekomandimet Rreth Aktivistëve të VV-së

Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësim për kalimin në Kuvendin e Kosovës të rekomandimeve të Vetëvendosjes për aktivistët e dënuar të VV-së pa u shqyrtuar nga Komisioni për Legjislacion.

“Shprehim shqetësimit tona të thella, për mos respektimin e Rregullores së Punës së Kuvendit, respektivisht, mos shqyrtimin paraprak të këtyre Rekomandimeve nga ana e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, nëse të njëjtat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ashtu siç përcaktohen në Shtojcën 3 (Detyrat dhe Përgjegjësitë e Komisionit) të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas tyre është në përgjegjësinë ligjore të këtij Komisioni që të sigurohet që aktet e propozuara nga Kuvendi, të jenë në harmoni me legjislacionin në fuqi, duke bërë shqyrtimin dhe verifikimin paraprak të tyre si dhe dhënien e rekomandimit për miratimin ose jo të një propozimi.

Ministria e Drejtësisë ka shprehur shqetësim veçanërisht për përmbajtjen e rekomandimeve, të cilat në mënyrë direkte atakojnë pushtetin gjyqësor dhe pavarësinë e tij, të përcaktuar me aktin më të lartë juridik,  Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Rrjedhimisht, konstatojmë se sot, rendit juridik të Republikës së Kosovës dhe pushtetit të gjyqësorit në veçanti, i është dhënë goditja më e rëndë ndonjëherë nga politika në Kosovë”, theksohet në njoftimin e Drejtësisë së Kosovës.

Ata kanë rikujtuar se Pushteti Gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit.

“Në asnjë mënyrë e rrethanë nuk mund të ndikohet dhe pengohet nga agjendat e politikës ditore, e cila në rastin më të keq, nuk përfillë rregullat dhe procedurat bazike, por edhe realizon, me apo pa vetëdije, ndërhyrjen direkte dhe goditjen më të rëndë ndaj pushtetit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Ministria e Drejtësisë është shprehur se kontestimi, komentimi apo mohimi i çfarëdo lloj vendimi të cilin e nxjerrë gjykata kompetente, nuk është vetëm cenim i pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe përpjekje për ushtrimin e ndikimit në punën e këtij pushteti, por edhe zhvlerësim i autoritet të pushtetit gjyqësor si dhe cenim i parimit të ndarjes së pushtetit.

“Çdo vendim politik që shpërfillë rregullat dhe procedurat përkatëse ligjore dëmton seriozisht ndërtimin dhe funksionimin e një sistemi juridik të pavarur, sovran dhe të bazuar në Shtetin e së Drejtës”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.