Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë i Bie Pishman Neneve për Shpifjen

“Duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se me efekt të menjëhershëm tërheq nenet e propozuara 134/C (“fyerja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit”) dhe 134/D (“fyerja ndaj organeve kushtetuese”) nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Me anë të këtij vendimi Ministria e Drejtësisë shprehet e gatshme të marrë parasysh shqetësimet e ngritur nga ana e shoqërisë civile lidhur me këto nene.

“Ministria e Drejtësisë synon të vazhdojë dhe të thellojë bashkëpunimin me shoqërinë civile të Kosovës në të gjitha fushat që janë në përgjegjësinë e saj dhe do të sigurojë që shoqëria civile do të përfshihet në të gjitha proceset e politikëbërjes dhe hartimit të legjislacionit, duke përfshirë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe tërë rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet më tej në njoftim.

Javën që lamë pas shoqëria civile dhe mediat alarmuan lidhur me disa ndryshime të propozuara në procesin e amendamentimit të Kodit Penal të Kosovës që parashihnin sanksionim penal të shpifjes dhe fyerjes ndaj institucioneve kushtetuese në vend me dënime deri në pesë vjet burg.

Aktualisht në Kosovë Ligji për Shpifjen dhe Fyerjen rregullon në procedurë civile këtë lëmi ndërsa ishte avokuar fuqishëm që shpifja dhe fyerja  të largohen nga Kodi Penal i Kosovës që është në fuqi nga 1 janari 2013.

http://kallxo.com/ndryshimet-e-propozuara-ne-kodin-penal-kopje-e-ligjit-gjerman/