Ngricat mes datave 20-22 prill kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi - Foto: Facebook

Ministria e Bujqësisë Ende S’e Di Vlerën e Dëmeve nga Ngricat

MBPZHR është duke pritur raportet preliminare vlerësuese nga Drejtoritë Komunale të Bujqësisë për të kuptuar vlerën e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga temperaturat e ulëta të 20, 21 dhe 22 prillit.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë shifër të saktë për vlerën e dëmeve nga moti i ligë, Ministria e Bujqësisë e pranon se dëmet janë “të konsiderueshme”.

Zyrtari i kësaj Ministrie, Isuf Cikaqi, tha për KALLXO.com se nga moti i ligë që mbretëroi mes datave 20-23 prill, kur temperaturat ranë nën zero gradë celsius, dëme kanë pësuar sidomos pemët dhe vreshtat pothuajse në të gjithë territorin e vendit.

“Por, dëme në masë më të vogël kanë pësuar edhe kulturat e tjera bujqësore, si psh: patate, misër, fasule”, theksoi Cikaqi.

I pyetur nëse do të kompensohem fermerët e prekur, Isuf Cikaqi tha se Ministria e Bujqësisë do të bëjë një kompensim të pjesshëm dhe se për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ka të dedikuara 500,000 euro.

Ndërkohë, të gjitha komunat kanë formuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë.

Murat Hoxha, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Malishevës tha për KALLXO.com se Komuna ka formuar komisionin i cili do të vlerësojë dëmet në të gjitha fermat.

“E dimë që dëmet janë shumë të mëdha mirëpo presim raportin përfundimtar nga komisioni”, ka thënë Hoxha.

Njëjtë ka vepruar edhe Komuna e Gjilanit.

“Ne komunën e Gjilanit kemi dëme te konsiderueshme nga temperaturat e ulta të datave 20, 21 dhe 22 prill. Dëmet janë kryesisht në kulturën e dredhëzës dhe pemëve, të cilat janë në fazën e lulëzimit. Dëmet më të mëdha janë në fshatrat: Kravaricë, Gumnishtë, Përlepnicë, Llashticë, Cërnicë, Capar, Shurdhan, Livoq etj.”, tha për KALLXO.com Ramiz Ramadani, drejtor i Bujqësisë.

Ramadani theksoi se komisioni i ngritur nga Komuna do të vlerësojë dëmet dhe do t’ia dërgojë Ministrisë së Bujqësisë për kompensim.

Se dëmet janë shumë të mëdha në bujqësi e thotë edhe drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Feim Fetoshi.

Imer Fazliu nga Rahoveci tregon se në fermën e tij më së shumti janë dëmtuar patatet dhe kungujt. Kurse dëme thotë se ai dhe bashkëvendasit e tij kanë pasur edhe në të mbjellat në sera.

Fazliu shpreson se Komuna dhe Ministria do t’i ndihmojnë për të kompensuar dëmet e pësuara nga moti me temperatura të ulëta.

Në komunën e Pejës dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sektorin e pemtarisë. “Sa i përket mollës, dardhës, kumbullës, dredhzës, mund të themi se janë dëmtuar 100% (mund të ketë ndonjë përjashtim-specifik)”, tha për KALLXO.com eksperti Mehdi Mulaj.