Ministri Uran Ismaili e siguron Hysenin për trajtim dinjitoz në QKUK pas përvojës së hidhur me mjekë të këtij institucioni - Foto: Facebook

Ministri Viziton Pacientin që Pati 'Telashe' me Mjekë të QKUK-së

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot 19-vjeçarin nga Istogu, i cili ka pasur një përvojë jo të mirë me mjekë të QKUK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ministri tha se Hysenit dhe prindërve të tij u ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur dhe i ka siguruar se diçka e tillë nuk do t’u përsëritet më.

Në këtë vizitë, ministri Ismaili ishte bashkë me drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiun.

Ai tha se e ka ftuar Hysenin që të vijë dhe ta marrë trajtimin dinjitoz dhe profesional, “siç ai dhe të gjithë qytetarët e tjerë e meritojnë”.

“Nuk do të lejojmë që një rast i izoluar ta njollosë punën e palodhshme dhe të ndershme të mijëra punëtorëve shëndetësorë. Reformat, të cilat i kemi filluar si Ministri, në bashkëpunim me personelin mjekësor që punon me nder dhe integritet, me ndihmën e qytetarëve tanë, do t’i bëjmë realitet”, ka shkruar ministri Ismaili.