Ministri Imet Rrahmani teston Sistemin Informativ Shëndetësor - Foto: KALLXO.com

Ministri Teston Sistemin Informativ Shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani vizitoi sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të parë nga afër funksionimin e sistemit digjital për regjistrimin e të dhënave të pacientëve.

Sistemi Informativ Shëndetësor është një pilot-projekt i cili ka filluar të implementohet muaj më parë në këtë qendër.

I shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës, ministri Rrahmani bisedoi me mjekë dhe pacientë për gjendjen e kësaj qendre.

Ministri konstatoi se ka probleme në implementimin e këtij sistemi. Sipas tij, këto probleme janë të natyrës teknike dhe infrastrukturore.

“Infrastruktura e ndërtuar më herët nuk përputhet shumë me sistemin e informimit shëndetësor. Kemi vështirësi në shtrirje të rrjetës. Pastaj një periudhë ndoshta edhe institucionet lokale nuk e kanë kuptuar drejt qëllimin e këtij projekti dhe kanë bërë zhvendosje të shërbimeve pa ndonjë koordinim të mirë me implementuesit e projektit”, deklaroi Rrahmani.

Ndërkaq Arben Vitia, drejtori komunal i Shëndetësisë u zotua se në nivel të komunës do të ketë përpjekje për përdorimin korrekt të sistemit.

“Ne si Komunë e Prishtinës kemi premtuar që do ta bëjmë maksimumin që ky sistem të realizohet sa më mirë dhe sa më korrekt, sepse ky sistem do të na mundësojë që shumë gjëra në të ardhmen t’i kemi më të lehta në  qasjen ndaj problemeve dhe në kërkesat ndaj pacientëve”, konstatoi Vitia.

Ministri Rrahmani gjithashtu deklaroi se do të vazhdojë trajnimi i mjekëve për përdorimin e këtij sistemi.

Sistemi Informativ Shëndetësor është projekt që është duke u implementuar vetëm nëpër disa qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë.