Takimi i Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri me Komisionin për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit- Foto: Ministria e Drejtësisë

Ministri Tahiri: 87 Mijë Euro Janë Ndarë për Kompensim të Viktimave të Krimit

87 mijë euro janë ndarë nga Fondi për kompensimin e viktimave, fond ky që vjen nga të hyrat e taksave gjyqësore dhe prokuroriale.

Në Ditën Europiane të Viktimave të Krimit, ministri Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur në takim anëtaret e Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas ministrit Tahiri, Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ka Ligj për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Shpreh përkushtim për t’i ndihmuar qytetarët që janë viktima të krimit në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim”, ka thënë Tahiri para Komisionit.

Sipas tij nuk mund të ketë drejtësi nëse viktimat e krimit nuk trajtohen drejtë.

“Sistemi jonë i drejtësisë po transformohet çdo ditë duke vënë në qendër mbrojtjen e viktimës” ka thënë ministri Tahiri.

Ai më tutje ka falënderuar anëtaret e komisionit për punën që kanë bërë, duke  i siguruar se baza ligjore e këtij programi siguron qëndrueshmëri financiare dhe institucionale, duke marrë parasysh se fondi për kompensim të viktimave vjen nga të hyrat e taksave gjyqësore dhe prokuroriale, dhe për vitin 2018 janë ndarë 87 mijë euro që shfrytëzohen ekskluzivisht për kompensim të viktimave.

“Ne asnjëherë nuk mund ta kompensojmë vuajtjen e viktimave por duhet të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha masat për të minimizuar vuajtjet e tyre që kanë përjetuar gjatë dhe pas krimit” ka thënë Tahiri.

Kryesuesi i komisionit për mbrojtjen e viktimave të krimit, ka thënë se komisioni është funksional nga prilli i vitit të kaluar dhe qëllimi kryesor i tij është që viktimat të trajtohen pa diskriminim por me respekt dhe dinjitet.