Ministri Skender Reçica në fjalimin e tij “Rrugët e Paqes në Ballkan”, Foto: Skender Reçica/Facebook

Ministri Reçica: Vetëm të bashkuar në Bruksel rajoni do të lërë pas të kaluarën

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Kosovës, Skender Reçica ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Drejt Ndërvarësisë dhe Prosperitetit të Përbashkët: Roli i Liderëve Fetarë dhe Parlamentarëve”, mbajtur në Vjenë më 28 dhe 29 prill, me ftesë të Federatës Universale të Paqes.

Në cilësinë e ministrit dhe të Ambasadorit të Paqes ai ka folur rreth temës, “Rrugët e Paqes në Ballkan”, në këtë konferencë që bëri bashkë përfaqësues të nivelit të lartë të shteteve të ndryshme.

Fjalimi i plotë i ministrit Reçica:

Ballkani, duke qenë heterogjen, në historinë dhe fatin e tij ka pasur konflikte dhe luftëra të nxitura nga paragjykimet dhe rivalitetet e ashpra, që dallimet i kthyen në shkaqe potenciale kundërshtuese, të cilat u shfrytëzuan edhe nga fuqitë botërore dominuese të kohës, në mënyrë që t’i realizojnë aspiratat e tyre, shpeshherë hegjemoniste, ekspansioniste, kolonialiste, dhe si pasojë e kësaj u krijuan gjeo-politika dhe gjeo-strategji të gabuara relativizuese ndaj politikave të urrejtjes e të gjenocidit, që diktuan fatin e popujve në Ballkan e sidomos të popullit shqiptar.

Ballkani, si kudo udhëkryqet botërore, jo rrallë ka notuar në fatkeqësitë që sollën pikë-ndarjet e perandorive në kohërat e ndryshme. Fati historik dhe pozita gjeografike kanë bërë që politika e Ballkanit të mbetet errësira e shekujve plotë luftëra, plotë urrejtje e mosbesim, plotë energji negative të akumuluara për fqiun, edhe pse në të shumtën e kohës kanë ndarë të njëjtin fat.

Kjo ka bërë që edhe elitat politike të kenë bazën e vetë pushtetore strofull të kësaj mendësie, prandaj kanë qenë pranë, e larg Evropës. Pasioni për luftëra e grabitje territoresh nuk është gjë tjetër veçse fati tragjik i një shpirti të sëmurë, të cilin pa mëdyshje mund ta quajmë “Sindromi Ballkanik”!

Sistemet politike në Ballkanin Perëndimor, që u aplikuan pas Luftës së Dytë Botërore dëshmuan se nuk krijuan një paqe të mirëfilltë dhe afagjatë, por me kohë nxorën në pah armiqësitë e fshehura, të cilat rezultuan me luftëra të përgjakshme.

Shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat që pasuan, na mësojnë sa energji negative kishte në këtë rajon. Pamë, se me sa lehtësi, bashkëjetesa u kthye në urrejtje dhe në armiqësi të ndërsjellë.

Rreziqet ende mbesin mes nesh derisa ne së bashku nuk gjejmë mjetet e duhura dhe nuk ndërmarrim veprimet konkrete, t‘i eliminojmë ato, në mënyrë që popujt e këtij rajoni të mos mbesin peng dhe mos të kthejnë kokën nga e kaluara.

Në rajon, e në këtë rast edhe në Kosovë, jetojmë të lirë duke iu falënderuar përpjekjeve të shumë brezave për liri dhe paqe dhe luftës së fundit të imponuar, qëllimin e së cilës e kuptoi drejtë edhe faktori ndërkombëtar, si rezultat i së cilës, patëm edhe ndërhyrjen e Botës Demokratike, Forcave të NATO-s, të cilave gjithmonë do t’iu jemi falënderues për krijimin e kësaj paqeje, pa të cilën të paktën unë nuk do të isha pjesë e këtij paneli.

Rajoni duhet ta ketë synimin e vet të qartë, “Të bashkohet në Bashkimin Evropian dhe të anëtarësohet në NATO“. Ne, në Ballkanin Perëndimor duhet ta kuptojmë se politikat duhet të drejtohen kah fqinjësia e mirë, zhvillimi ekonomik, largimi i barrierave dhe rruga pa alternativë tjetër, siç është integrimi i rajonit në Bashkimin Evropian. Pa dyshim, mburoja e aleatëve të NATO-s është ajo që i duhet dhe do t’i duhet rajonit tonë.

Ky rajon, në brishtësinë të tij shihet arenë e përshtatshme për çdo lloj ekstremizmi, duke përfshirë sidomos atë fetar. Këto janë gjithashtu sfida, me të cilat duhet të ballafaqohemi në rrugëtimin tonë drejt ngritjes së demokracisë, aq të dëshiruar dhe munguar.

Ekstremizmat po provojnë gjithë këto vite të ndërtojnë një orbitë të tyre, me qëllim interferimi. Përdorimi i fesë për qëllime politike dhe të shtrirjes ushtarake dhe ekonomike, në vetvete nuk është vetëm një ekstremizëm fetar, por edhe një synim me qëllim ndikimi gjeopolitik mbi rajonin.

Njohja e ndërsjelltë e shteteve, si partnere të barabarta dhe të pranuara edhe në mekanizmat ndërkombëtar si OKB, BE e të tjera, është e vetmja mundësi që këto ekstremizma mos të gjejnë vend e përkrahje në këtë rajon.

Fatkeqësisht po mbretëron ende një agjendë për t’u goditur nga politikat agresive, edhe pse Kosova është shumë e angazhuar në ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të njeriut, në veçanti të komuniteteve, të drejta të cilat janë të garanatuara edhe me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Masat afirmative për komunitetet në Kosovë janë shembull më i mirë, i integrimit dhe ju them që këto të drejta respektohen shumë nga institucionet, por është me rëndësi se këto masa janë të pranueshme edhe nga komuniteti shumicë.

Por, në këtë rast, dua të theksoj se Serbia jo vetëm që heziton të na njohë, por ajo po bënë shumë për të na penguar në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit. Ajo duhet ta kuptojë, se Kosova është një shtet i pavarur më synim të qartë, zhvillimin ekonomik, ruajtjen e paqes dhe qëllimi kryesor, anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Derisa fati ynë i mirë është se populli ynë është i orientuar në qind për qindëshin e vet drejt Perëndimit, duhet që edhe vendet fqinje të kuptojnë se rajoni ka nevojë për dy gjëra krejt bazike: Paqe dhe zhvillim.

Të nderuar,

Sikur liderët e vendeve të Ballkanit të udhëhiqeshin nga interesi i qytetarëve të këtyre vendeve, rajoni ynë i ka të gjitha mundësitë të ofroj kushte të mira zhvillimi, sigurie e prosperiteti. Ballkani ka pasuri e mundësi të shumta zhvillimi e mirëqenie duke filluar nga faktori njeri, pasuri tokësore e nëntokësore, klimë shumë të favorshme për punë e jetë, për turizëm historik, kulturor, detar e malor, si dhe është udhëkryq i se paku tri kontinenteve. Ballkanit i duhen vlerat evropiane të bashkëpunimit, partneritetit e të mirëkuptimit mes katër – pesë kombeve përbërëse. Ne, shqiptarët i mbështesim fuqishëm këto politika, të paqes, sigurisë, të zhvillimit e të progresit shoqëror.

Kjo shtron një pyetje, sa kapitale po aq edhe esenciale: Si t’i arrijmë këto?

Nëse dikur dukeshin të paarritshme, ato sot janë në duart tona. Sot, të gjithë jemi të bindur se paqja mes nesh ruhet përmes dialogut të brendshëm, duke e pranuar njëri-tjetrin ashtu sikur jemi dhe aty ku jemi, duke e pranuar diversitetin tonë si vlerë e jo si pengesë e rrezik, duke aspiruar bashkimin në familjen e përbashkët, e jo duke i vënë njëri-tjetrit shkopinj nën rrota. Vetëm të bashkuar në familjen tonë të përbashkët në Bruksel qoftë për Bashkimin Evropian, qoftë për mbrojtjen e sigurinë nën mburojën e NATO-s, rajoni ynë do të lë pas të kaluarën e mbushur me gjak e luftëra.

Për ta pasur rajonin tonë edhe më të sigurt e më të plotësuar, duhet që Greqia, si një shtet me traditë të bashkimit evropian, ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ne e thërrasim edhe me këtë rast që ajo ta jap shembullin dhe ta bëjë nismën e këtij ngërçi të pesë shteteve të Bashkimit Evropian. Pavarësia e Kosovës është edhe detyrë greke, sepse ne jemi fqinjë dhe kemi shumë rrugë për të bërë bashkë.