Ministri Bytyqi me drejtuesit e SBAShK-ut - Foto: Rtv21

Ministri: Projektligji për Mësimdhënësit e Viteve ’90 në Dhjetor në Qeveri

Ministri  i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj dhe këshilltarin për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri.

Delegacioni i SBAShK-ut i ka prezantuar ministrit Bytyqi gjithë kërkesat  e punëtorëve të arsimit që dalin nga Kontrata Kolektive, duke kërkuar angazhimin e tij që qeveritë komunale të angazhohen seriozisht për realizimin e tyre.

Temë kyçe e bisedës në këtë takim ka qenë çështja e Projektligjit për statusin e  punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 e deri në vitin 1998/99.

Ministri Bytyqi i ka deklaruar SBAShK-ut se është  formuar një komision në MAShT për ta analizuar edhe një herë këtë Projektligj dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale që ai të shkojë në Qeveri në pjesën e parë të dhjetorit me qëllim që pastaj të procedohet në Parlament.

“Jemi shumë të përkushtuar në MASHT që ta realizojmë obligimin tonë ndaj  punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta dhe po komisioni që kam ngritur po bën  një punë shumë dinamike me qëllim që Projektligji të shkojë në Qeveri në pjesën e parë të dhjetorit e pastaj të procedohet menjëherë në Parlament”, i ka thënë delegacionit të SBAShK-ut ministri Bytyqi.

Pas kësaj është biseduar edhe për shumë çështje të tjera dhe ministri Bytyqi ka shprehur gatishmërinë që me angazhime të përbashkëta me SBASHK të gjinden zgjedhje të pranueshme për të gjitha çështjet e ngritura. /21Media