Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Ministri Paralajmëron Nënshkrimin e Kontratave për TC ‘Kosova e Re’

Mjedisi afarist për nxitjen e investimeve shihet si problematikë nga Ministritë e dikastereve ekonomike dhe Banka Botërore, ndërsa problemi kryesor qëndron te furnizimi me energji elektrike, mbrojtje të investitorëve ne treg, ofrim të beneficioneve për investitorë dhe mungesën e punonjësve profesionalë në treg.

Drejtori ekzekutiv i Odes Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se ka ardhur koha që të punohet në tërheqjen e investitorëve e huaj edhe në praktikë

“Në vitin 2016 kanë qenë më pak se 216 milionë euro investime të huaja direkte të barabarta me vitin 2007 që tregon një ngecje, ne kemi bërë një korelacion në mes raporteve, megjithatë nuk kemi ndonjë progres ne interesimin e investimeve te huaja në Kosovë, nga raporti i fundit Doing Business 2018 ne jemi para vendeve të Ballkanit besa edhe para Italisë e Turqisë, komentet nga të tjerët janë se pasi jemi të mirë ne letër, unë mendoj se tani është momenti i fundit kur ne duhet t’i tërheqim investitorët e huaj edhe në praktikë”, tha Zeka.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, theksoi se kjo Ministri është duke bërë vazhdimisht reforma dhe bashkëpunim me Ministritë e tjera për nxitjen e investimeve.

“Ne si Ministri jemi për reforma por nuk varet gjithçka prej neve, pas ndryshimit të ligjit për shoqëri tregtare të cilin presim ta procedojmë në Kuvend Kosova do të arrijë progres me heqjen e procedurave burokratike ne kemi bëre disa veprime konkrete jemi duke punuar ne reforma që të organizohemi me organizmat tjetër të bëjmë presion dhe bashkëpunim në fushën e energjisë në të cilën jemi rangu dobët”, tha Hasani.

Ministri Hasani po ashtu theksoi se MTI brenda dy muajve do të nxjerrë rregulloret dhe udhëzimet administrative për implementimin e ligjit për investimeve strategjike duke shikuar mundësinë që tokat e mbetura të paprivatizuara t’u jepen në shfrytëzim investitorëve ose t’u ndahet hapësirë në zonat ekonomike, si dhe krijimin e fondeve të punësimit në bashkëpunim me MASHT- in dhe Ministrinë e Punës për aftësimin e të rinjve për tregun e punës.

Nga konferenca “Nxitja e investimeve përmes përmirësimit të mjedisit afarist”. Foto: Kallxo.com

Ministri Valdrin Lluka nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik theksoi se vonesa në ndërtimin e termocentralit Kosova e Re kanë sjellë një situatë jo të mirë në furnizim me energji elektrike.

“Tani jemi në përfundim të bisedimeve, besoj se në dhjetor do ta nënshkruajmë marrëveshjen me kompaninë Contour Global për çështje sociale dhe mjedisore. Tani do të hapet tenderimi me mbi 1 miliard euro për ndërtimin e kapacitetit prej 450 megavatë netto”, tha Lluka.

Ai poashtu përmendi faktin se financimi i projektit do të jetë problem sepse Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk do të përkrahë projekte me thëngjill.

Ministri Lluka theksoi edhe faktin se investitorët e huaj frikësohen nga tarifat e larta për biznese.

“Sa i përket investitorëve të huaj ata frikësohen të investojnë ne Kosovë duke e ditur se jemi vendi i vetëm në botë që e kemi tarifat për 40% më të shtrenjta të energjisë elektrike për biznese se sa për ekonomi familjare, humbjet që i bartë biznesi në mungesë të energjisë elektrike llogariten 300 milionë euro”, tha Lluka.

Blerta Qerimi nga Banka Botërore theksoi se pavarësisht rangimit për 20 vende më lartë në raportin e fundit, Kosova ende mbetet vendi më i paintegruar ekonomikisht në regjion.

“Raportet e tilla përçojnë sinjale te mira, tregojnë se qeveritë po fillojnë të reformojnë, megjithatë Kosova është një ndër vendet më të paintegruara ne procese ekonomike, Kosova po ashtu ka kosto të shumta administrative, shumë, dhe duke e pasur parasysh se tregu është i vogël rritja e eksportit është esenciale për Kosovën”, tha Qerimi.

Muajin e kaluar, emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi një hulumtim se si një investitor i kthyer nga Zvicra po pengohet në investimin e planifikuar.

Frikësimi i Investitorëve