Ministri Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri nuk Raporton për Përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit

Ministri i arsimit nuk ka shkuar për të raportuar në komision në lidhje me përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga organizata EQAR.

Për sot ishte paraparë që ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi të raportojë në Komisionin për Arsim në lidhje me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Europian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë.

Por kryetari i Komisionit për Arsim Ismail Kurteshi tregoi se vonë në mbrëmje ministri ka njoftuar se nuk do të raportojë para komisionit.

“Në 21 e 05 minuta zyrtarja e MASHT-it na ka njoftuar që ministri së bashku me kryeministrin janë duke i bashkërenduar punët dhe për shkak të kohës së shkurtër nuk mund të vijë në komision”, tha Kurteshi.

Ai tregoi se më herët ministri Shyqiri Bytyqi e kishte konfirmuar raportimin para komisionit.

“Dje në orën 9 e 07 ne kemi marrë një konfirmim nga zyetarja e MASHT-it ku thuhet se : Ju njoftojmë që ministrit i arsimit Shqyqiri Bytyqi do të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar për Arsim”, tha Kurteshi.

Ai tregoi se ministri do të ftohet në mbledhjen e radhës më 6 mars, ndërsa bëri të ditur se partitë kanë mbledhur nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet për përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit.