Ministri i MPMS-së, Skender Reçica - Foto: Facebook

Ministri Nuk e Di Kur Hapen Strehimoret për Viktimat e Dhunës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se nuk e di se kur do ta marrin buxhetin strehimoret ku strehohen viktimat e dhunës në familje.

Reçica tha se pas ndarjes së buxhetit duhet ende kohë për alokimin e tij. “Të gjithë jetojmë në Kosovë dhe e dimë se kur alokohet buxheti edhe 30 ditë mbesin”, tha Reçica për KALLXO.com.

I pyetur se në cilën fazë është procesi, ministri tha se nuk e di. “Duhet ta thirrni një zyrtar financiar apo ta thirrni ministrin e Financave”, tha ai.

Ministri tha se obligimi moral dhe ligjor është kryer me ndarjen e buxhetit për qendrat e strehimit.

Ndërkaq, ngjashëm u shpreh edhe zyrtarja për informim pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kqiku.

“Më 12 janar, ne i kemi paraqitur Qeverisë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 65.000 euro nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për mbështetje të disa OJQ-ve, të cilat ofrojnë shërbime për strehim të viktimave të dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të trafikimit. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar propozim-vendimin tonë. Javën e kaluar është lëshuar buxheti. Janë disa procedura të cilat ne duhet t’i zbatojmë dhe duhet t’u përmbahemi”, tha Kqiku.

Pas raportimit të KALLXO.com për mbylljen e qendrave të strehimit të viktimave të dhunës familjare për shkak të mungesës së buxhetit kishte reaguar Qeveria, duke ndarë buxhet për to.

http://kallxo.com/pas-raportimit-te-kallxo-com-qeveria-ndan-buxhet-per-strehimoret-e-mbyllura/

KALLXO.com sot e ka konfirmuar se vazhdojnë të jenë të mbyllura strehimorja e Gjilanit, Pejës dhe Mitrovicës.