Kumanova pas shkëmbimit të zjarrit. Foto nga: AP / Visar Kryeziu

Ministri Kërkon Hetim Ndërkombëtar për 'Rastin Kumanova'

Në përleshjen e armatosur më 9 maj të 2015-tës në Kumanovë janë shpërblyer policë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në atë ngjarje.

Këtë rast ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, e klasifikon si sekret shtetëror, por thotë që i ka të dhënat në dorë se kush ka marrë pjesë e kush është shpërblyer për atë rast.

Ministri Spasovski thotë se pas përfundimit të procesit gjyqësor për “Lagjen e Trimave” do të kërkojnë një hetim shtesë ndërkombëtar që e vërteta të dalë në shesh.

“Ai rast tanimë është nga fundi i procesit gjyqësor, megjithatë ne si Qeveri kemi marrë për detyrë që do të bëjmë një hulumtim shtesë, edhe atë ndërkombëtar, me qëllim që në mënyrë adekuate të dihet e vërteta në opinion për atë se çfarë ka ndodhur në rastin e Kumanovës. Sipas atij hulumtimi të ketë një proces gjyqësor që do të besojnë shumica e qytetarëve të Maqedonisë”, tha Oliver Spasovski.

Tutje, ministri tha se edhe 27 prilli ishte dita kur u thye besimi i qytetarëve ndaj policisë së shtetit.

Në rastin kur mijëra qytetarë hynë në Kuvend dhe sulmuan fizikisht deputetët, para syve të forcave të rendit, ka bërë që qytetarët mos të llogarisin më në sigurinë nga policia.

Ministri Spasovski tha se besimi ka rënë edhe në skandalin e përgjimit të mbi 20 mijë shtetasve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, që sipas tij, janë keqpërdorur institucionet shtetërore, por janë duke bërë reforma.

“Ato reforma do të bëhen edhe në sistemin e përgjimeve të komunikimeve, gjegjësisht të shërbimeve të sigurisë. Megjithatë, përmes strategjisë që kemi miratuar për zhvillimin e policisë, do të ketë reforma edhe në sektorët tjera të policisë me qëllim që të ofrohen tek qytetarët, për të qenë në shërbim të tyre, duke e rikthyer edhe besimin e tyre tek ne”, u shpreh Spasovski.

Se ka rënë besueshmëria e qytetarëve të Maqedonisë në policinë e shtetit, tregohet me shifra edhe në një hulumtimin i bërë nga “Eurobarometri” në kuadër të Komisioni Europian.

“Qytetarët e Maqedonisë kanë më së paku besim tek policia në mesin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve që janë kandidate për anëtarësim në familjen evropiane. Besim tek policia kanë shprehur 34 % e qytetarëve, përderisa 61% nuk ndihen të sigurt as në praninë e policisë”, thekson sondazhi nga “Eurobarometri”.

Ministri Spasovski tha se për të kontribuar në njerëzit e besueshëm në MPB, dje kanë shkarkuar drejtorin e SELEK, Toni Jakimovskin, i cili është i dyshuar nga PPS në rastin “Fortesa” për prishjen e pajisjeve të përgjimeve ilegale.

Sipas tij, me marrjen e pasaportës ish shefit të kabinetit të Sasho Mihajllovit në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Jakimovski nuk mund të udhëheqë një organizatë për luftën kundër krimit të organizuar në Evropën Juglindore, e përbërë nga 11 shtetet anëtare të saj. /21Media