Ministyri i FSK, Rrustem Berisha. Foto: Kallxo.com

Ministri i FSK-së Kundër Komunës së Gjilanit

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka marrë vendim që pronën ku është FSK-ja në këtë komunë ta kthejë në hapësirë për kampus të Universitetit “Kadri Zeka”, por kjo po kundërshtohet nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili tha se ajo është strategjike për Forcën e Sigurisë dhe se po punojnë për të gjetur zgjidhje.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku e pyeti ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha se pse ka kërkuar nga Komuna e Gjilanit përmes një letre që kjo hapësirë të mbetet e FSK-së.

“Ky vendim prek hapësirën kur është vendosur Batalioni i Tretë i reagimit të shpejtë.  Në këtë hapësirë janë bërë investime milionëshe dhe arsyeja pse e kemi bërë shkresën është që të bëjmë zgjidhje që do të jetë në pajtim me Kuvendin e Gjilanit dhe FSK-në”, tha Ministri.

Berisha tha se ajo është hapësirë strategjike për FSK-në dhe se ata kanë ofruar gatishmëri për zgjidhje adekuate.

Deputetja Bunjaku tha se në atë hapësirë, ku është e vendosur FSK ka ndërtime të larta përreth dhe nuk është e përshtatshme për FKS-në, por më e përshtatshme për Universitetin dhe kampusin “Kadri  Zeka”.

Por, ministri Berisha tha se ky vendim ishte kundërshtuar edhe nga ish-ministri i FSK-së, i cili vinte nga LDK.

“Realisht vendimi i KK të Gjilanit është që nga 2013, kur edhe ministri i FSK-së ka qenë i LDK-së, dhe edhe atëherë nga Haki Demolli kanë marrë përgjigje negative. Hapësira është pronë e ish-armatës jugosllave. Ta vlerësojmë në aspektin strategjik, a më e rëndësishme për kampus a për FSK-në”, tha ministri Berisha.