Ministri i Arsimit ‘Lut’ SBASHK-un që ta Anulojë Grevën e Mësimdhënësve

Shyqiri Bytyqi konsideron se një grevë e mësimdhënësve në këtë moment mund të jetë shumë e dëmshme në proceset nëpër të cilat po kalon arsimi në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për të negociuar anulimin e grevës së përgjithshme të mësimdhënësve të paralajmëruar nga ta.

Ai në këtë takim siguroi SBASHK-un se po bëjnë çmos për ta dërguar Ligjin për Punëtorët e Arsimit Shqip, që punuan në vitet 1990-1999  për miratim, duke qenë se kjo është kërkesa e vetme e SBASHK për të cilën kanë paralajmëruar grevë nga data 13 prill.

“Ne jemi në vlugun e përgatitjeve për testin PISA 2018, e që është me interes për Kosovën, ndërsa greva e paralajmëruar përkon me fillimin e këtij procesi. Mbajtja e grevës në këto momente do të na shkaktonte dëme, aq më parë kur nxënësit tanë më shumë se kurrë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ky test ndërkombëtar”, tha Bytyqi.

http://kallxo.com/sbashk-fillon-greven-javen-e-ardhshme-nese-nuk-permbushen-kerkesat/