Takimi Mustafa-Gabriel | Foto: Facebook

Ministri Gjerman Kërkon Ratifikimin e Demarkacionit

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel ka apeluar te deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e ZI.

Këtë deklaratë ai e dha sot në Prishtinë, gjatë një konference me Kryeministri Isa Mustafa.

“Apeloj në parlamentin tuaj që të ratifikoni demarkacionin dhe gjithashtu ta marr këtë porosi me vete për partnerët tanë evropianë, që të gjejmë një zgjidhje pragmatike”, tha ministri Gabriel.

Ministri gjerman garantij Kosovën se Gjermania do vazhdojë të mbajë derën hapur për Kosovën.

“Ne si Gjermani vazhdojmë ta mbajmë premtimin se do e mbajmë derën e hapur të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova”, tha ministri gjerman, Sigmar Gabriel.

Ministri gjerman foli edhe për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

“E tha edhe kryeministri Mustafa, që formimi i ushtrisë do të bëhet në koordinim me të gjithë partnerët, përfshi edhe përfaqësuesit e serbëve në Kosovë”, tha Gabriel.

Ai kërkoi që të punohet më shumë në projektet e infrastrukturës që lidhin vendet e Ballkanit.

“Vërejta ime është se ne duhet të mundohemi edhe më shumë që të përkrahim projektet e infrastrukturës në mes juve dhe shtetit të Serbisë dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri gjerman.

“Gjermania ka pasë një rol të veçantë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos në fushën e ujit dhe energjisë”, tha kreu i Qeverisë Isa Mustafa.

Kreu i qeverisë foli edhe për çështjen e demarkacionit, duke thënë se nuk çka të bisedohet me Malin e Zi. Sipas tij kjo është një kauzë politike e opozitës.

“Ekziston pajtimi i të gjitha strukturave politike e institucionale të Kosovës, përfshi edhe Presidentin që kjo çështje të bëhet në koordinim me NATO-n, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, tha Mustafa.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Gjermanisë përmendi edhe drojën nga kthimi i të këqijave të së kaluarës në rajon.

“Po, kemi frikë që mund të rikthehen konfliktet e vjetra, por kjo varet nga gjithë ne se çfarë bëjmë për të evituar ato. Për këtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojnë në shoqëritë e tyre.” tha ministri gjerman.