Klinika Emergjente e QKUK-së - Foto: Facebook/UranIsmajli

Ministri Flet për një ‘Skandal’ me Transportuesit e Kufomave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përgëzuar menaxhmentin e QKUK-së për, siç ka thënë, reagimin e shpejt dhe marrjen masave konkrete rreth raportimeve në media lidhur me pretendimet për “Pazarin me kufoma”.

“Tashmë kanë nisur të gjitha masat ligjore në lidhje me rastin dhe ndaj të përfshirëve në të, duke u proceduar në komision disiplinor”, ka shkruar ministri në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se është mbajtur një takim nga menaxhmenti i ShSKUK-së me shtatë kompanitë që transportojnë kufomat nga morgu i QKUK-së, të cilat janë të licencuara nga MTI-ja.

“Këto kompani janë obliguar të gjitha që ditën e martë t’i sjellin dëshmitë për licencat e tyre të lëshuara nga ky institucion”, ka shtuar ministri.

Sektori i shëndetësisë ka probleme të mëdha, por vullneti ynë është më i madh se pengesat, ka shtuar Uran Ismaili.

“Shëndetësia e Kosovës ka nevojë për njerëz profesionistë, të ndërgjegjshëm dhe të cilët, mbi të gjitha, respektojnë punën dhe ligjin. Të tjerët nuk do të kenë vend aty”, ka përfunduar ai.

Ndonëse nuk e ka përmendur mediumin i cili ka shkruar për këtë skandal, ministri Ismaili ka aluduar në një hulumtim të portalit “Gazeta Shneta”, sipas të cilit kur një pacient vdes në QKUK bëhet një lloje gare mes mjekëve, teknikëve, stafit të sigurimit dhe të pastrimit se kush po e kontrakton kompaninë për transportimin e kufomave pasi që më pas do të marrin një shpërblim prej asaj kompanie.