Ministri i brendshëm Flamur Sefaj gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme. Foto: Kallxo.com

Ministri i Brendshëm Kërkon Ligj për Policinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, është takuar sot për herë të parë me anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme e Siguri për t’u shpjeguar prioritetet që i ka në krye të kësaj ministrie.

Sefaj para deputetëve i renditi prioritetet kryesore gjatë mandatit të tij.

“Prioriteti jonë mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, terrorizmit, dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha ministri i cili që nga fillimi i shtatorit ka marrë këtë pozitë.

Si prioritet tjetër, ministri tha se e ka edhe zvogëlimin e aksidenteve rrugore, mirëpo për këtë ai kërkoji ndihmë edhe nga ministritë e tjera.

“Prioritet tjetër është edhe çështja e aksidenteve rrugore. Së bashku me ministritë tjera do bëjmë çmos që t’i parandalojmë këto aksidente. Është problem shumë fushor, duhet ta kyçim Ministrin e Infrastrukturës, duhet ta kyçim edhe Ministrinë e Diasporës, që t’i njoftojnë se rrugët nuk janë të njëjta si atje ku diaspora jeton, t’i njoftojnë me disa rregulla”, tha Sefaj duke shtuar se një rëndësi e veçantë do t’u jepet edhe largimit në mënyrë të qëndrueshme të lypësve nëpër qytet.

Një nga detyrat tjera që ministri Sefaj tha se do ta ketë është edhe luftimi i shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe drogës nëpër shkolla.

Ai kërkoi nga deputetët që ta procedojnë Ligjin për Policinë.

“Mosha e Policisë e ka arritur një moshë të avancuar dhe kisha kërkuar nga ju që ta procedoni ligjin për policinë sa më shpejt që keni mundësi”, ishte kërkesa e ministrit Sefaj drejtuar deputetëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka kërkuar nga Ministri që herën tjetër kur të vjen në takim, ta sjellë një raport të detajuar mbi gradimin që është bërë në Polici gjatë kohës sa nuk kishte pasur mbikëqyrje parlamentare. Ata u dakorduan që në takimin tjetër të diskutohet për këtë çështje.