Ministri Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri i Arsimit Uron 48 Vjetorin e Themelimit të UP-së

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka shkruar urimin e tij për përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Ministri që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishte prezent në ceremoninë e festimit të 48 vjetorit.

Ai në telegramin e tij e quajti këtë universitet sinonim të lëvizjes kombëtare për liri dhe dije.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është sinonim i lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse sot që është sinonim i dijes, shkencës dhe inovacionit, të cilat domosdoshmërisht ndërlidhen me zhvillimin e shtetit tonë. “, shkroi Bytyqi.

Ai po ashtu u zotua për angazhim të përbashkët për zhvillimin e universitetit në trendët bashkëkohore.

“ Duke uruar menaxhmentin, stafin akademik, stafin administrativ dhe studentët e këtij Universiteti për këtë ditë me rëndësi historike, uroj që së bashku të vazhdojmë angazhimin tonë drejt arritjes së qëllimeve tona, në ndjekjen e ritmit të zhvillimeve bashkëkohore dhe ndërkombëtarizimin e dijes dhe shkencës”, uroi Ministri.

KALLXO.com raportoi lidhur me ceremoninë e 48 vjetorit të themelimit të universitetit të parë në Kosovë.