Shyqiri Bytyqi në Kuvernd | Foto: KALLXO.com

Ministri i Arsimit Pranon se Mund të Ketë Marrë Vendim të Ngutshëm

Në debatin për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsim (EQAR), ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi e pranoi se po të shikohet nga prizmi i ngjarjeve të fundit mund të konsiderohet i ngutshëm vendimi për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit.

“Nevojat për të vepruar kërkojnë vendime të guximshme dhe me kohë, mund të ketë veprime të nxituara por jo qëllimkëqija”, tha ministri Bytyqi.

Ai megjithatë arsyetoi vendimin e tij me gjendjen që gjeti në sistemin e arsimit.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk arriti të funksionalizohet me kohë që të dëshmojë pavarësinë e vet. Ne kishim një qëllim që Këshilli Shtetëror i Cilësisë së AKA të ishte  sa më funksional, sa më i pavarur”, tha Bytyqi.

Ai foli edhe për gjendjen në arsim në kohën kur u bë ministër. Tha se çrregullimin e gjetëm aty.

“Kur e kam marrë pozitën neve na janë dashur disa muaj për të sanuar gjendjen që kemi gjetur në mënyrë që të kemi qasje më të lehtë të punës”, tha Bytyqi.

Ai tha se sistemi universita5r ishte i politizuar, ndërsa ai parauniversitar linte shumë për të dëshiruar.

Ministri konstatoi se me marrjen e detyrës prej tij ka filluar një mision i ri që duket i pamundur. Misionin për një arsim më të mirë në Kosovë

“Ky mision që po duket i pamundur nuk do të ndalet”, tha Bytyqi.

Ai kërkoi ndihmën e të gjithëve që ky mision të ketë sukses dhe që Kosova në periudhën ankimuese prej tre muajve të japë argumentet e saj për t’u rikthyer në EQAR.