Ministrat Tregojnë Çfarë Raportuan në Komision

Katër ministra të Qeverisë së Kosovës raportuan sot në Komisionin për Stabilizim-Asociim pa praninë e medieve.

Xhavit Haliti, kryetari i këtij komisioni tregoi për çfarë raportuan ministrat.

“Ministrat na kanë informuar si komision për detyrat që i kanë kryer, se detyrat më të mëdha i ka qeveria me i kry, i kanë komitetet dhe është më mirë që ministrat të flasin për detyrat e tyre. Ne në njëfarë mënyre jemi komision i përbashkët i Parlamentit Evropian që mbikëqyrim detyrat që i ka qeveria”, tha Haliti.

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha foli për raportimin dhe obligimet që kësaj ministrie i dalin nga MSA-ja ka ministria që ajo drejton, të cilat dalin nga MSA-ja.

“Sa i përket MD-së janë koncept-dokumenti për suspendimin e zyrtarëve të lartë të cilin ne kemi premtuar se do ta përmbushim brenda 6 muajve, pastaj gjithashtu Ligji për Konfliktin e Interesit, i cili tashmë ka kaluar në leximin e parë në kuvend”, tha ajo.

Ndërsa Ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami tregoi në përqindje punët e kryera në planin legjislativ dhe atë ekonomik.

“Ne kemi arritur që gjatë vitit t’i integrojmë në planin e punës të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja dhe kemi arritur që të zbatojmë 85 për qind të masave legjislative dhe 75 për qind të masave ekonomike”, tha ajo.

Ministri Blerand Stavileci foli për tre sektorët mbi të cilët ka raportuar, e për të cilët thotë se janë tejet të rëndësishëm.

“Unë raportova për sektorët e energjisë, minierave dhe teknologjisë së informacionit, që janë shumë të rëndësishëm dhe zënë një pjesë kapitale të kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Ministrja e Integrimit, Mimoza Ahmetaj foli më pak për atë që ka raportuar, e më shumë për atë se çfarë është konsensus nacional.

“Çështja e integrimit europian është konsensus nacional i të gjitha institucioneve të Kosovës, partive politike pa dallim orientimi. Edhe takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve të përbashkëta, obligimeve që dalin nga marrëveshja për Stabilizim Asociim”, tha ajo.

Mbledhja e sotme e Komisionit për Stabilizim-Asociim si edhe ajo e së hënës ishin të mbyllura për medie.