Zoran Zaev. Foto: Beta/AP/Boris Grdanoski

Ministrat Serbë Reagojnë Ndaj Deklaratave të Zoran Zaev

Ministrat serbë dënuan deklaratën e drejtuesit të Partisë Social-Demokrate të Maqedonisë, LSDM, i cili tha se lidershipi në Serbi është nacionalist, duke e akuzuar atë se po merr urdhra nga Shqipëria.

“Serbia është nën lidershipin nacionalist të Vuçiqit i cili e promovoi veten si lider rajonal, por sapo karriera e tij politike u rrezikua, u zbuluan qëndrimet e tij nacionaliste”, tha Zaev për tabloidin serb “Kurir” të mërkurën.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, e përshkroi këtë deklaratë si “sulm brutal dhe skandaloz” ndaj kryeministrit Vuçiq dhe qeverisë së tij.

“Pse Zaev sulmoi Vuçiqin në vend se ta sulmonte (Edi) Ramën apo (Hashim) Thaçin”, pyeti Daçiq.

“Ai e di se koncepti i Shqipërisë së Madhe nuk është komplet pa Shkupin”, tha Daçiq në një deklaratë për agjencinë shtetërore serbe të lajmeve, Tanjug.

Ministri serb i Punës, Aleksandar Vulin, ndërkohë pyeti nëse “sulmi” i Zaev ndaj Vuçiqit ishte ide personale e tij, ose nëse ka qenë “i shtyrë nga Rama, Thaçi apo Talat Xhaferi”.

Partia që e drejton Qeverinë e Maqedonisë, VMRO-DPMNE, e ka akuzuar Zaevin se po e rrezikon sovranitetin shtetëror duke pranuar kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë, në mesin e të cilave edhe zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.