Ministrat e Kosovës Takohen për ‘Përhajër’

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u takua sot me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha   dhe si duket qëllimi kryesor i kësaj vizite ka qenë urimet e ndërsjella të ministrave për postet e reja.S

Sipas njoftimit të dhënë nga Minstria e Infrastrukturës, Lekaj ka takuar Berishën duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm, pa specifikuar llojin e bashkëpunimit.

“Ne e dimë që ju në çdo drejtim do t’i shtyni përpara shumë procese, andaj më lejoni që në emrin tim dhe në emër të Kabinetit të MI-së t’ju uroj suksese dhe t’ju ofrojmë bashkëpunimin tonë aty ku është interesi i vendit tonë”, thuhet në komunikatën e MI-së.

Ndërkaq, ministri Berisha me këtë rast, sipas njoftimit i tregoi Lekajt për punën e FSK-së  dhe për strategjinë e tyre të veprimit për të ardhmen.

Ministri Lekaj, megjithatë tha se në të ardhmen bashkëpunimi i këtyre dy ministrive do të lidhet me memorandume të bashkëpunimit.