Minatorët e ‘Trepçës’ Bojkotojnë Punën- Kanë Shumë Kërkesa

Minatorët e Trepçës mbrëmë kanë bojkotuar punën në shenjë pakënaqësie për mospërmbushje të kërkesave nga ana e menaxhmentit.

KALLXO.com kontaktoi me kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqeri Sadikun i cili tha se punëtorët janë duke ngrënë ushqim jocilësor.

“Po jam në dijeni se mbramë ndërrimi i tretë nuk ka pranu me hy në minierë për shkak të ushqimit dhe kërkesave të tjera. Punëtorët janë ankuar pasi ushqimi nuk është cilësor. Kompania ka për qëllim të bëjë furnizimin me ushqim, ndërsa menaxhmenti e menaxhon furnizimin e punëtorëve me ushqim”, tha Sadiku.

Ai shtoi se minatorët kanë edhe kërkesa dhe pakënaqësi të tjera.

“Kërkesa tjetër është sistematizimi i vendeve të punës. Po ashtu ka kërkesa edhe për transport, po bëhet diskriminim nga ana e menaxhmentit pasi është një pjesë e punëtorëve që nuk u paguhet rruga apo transporti dhe dikujt po. Ndër kërkesat e tjera janë që Ligji i Punës nuk zbatohet dhe kontrata kolektive”, tha ai.

Sadiku shtoi se për të gjitha këto kërkesa është në dijeni menaxhmenti që sipas tij duhet të ndërmarrë masa për plotësimin e kërkesave.

Kryesindikalisti i punëtorëve të Trepçës më tutje tregoi se pritet të ndodhë një takim i minatorëve me ministrin e Zhvilimit Ekonomik Valdrin Lluka.

“Këto janë kërkesa të brendshme. Ka qenë menaxhmenti këtu, jemi ulur, kemi biseduar dhe s’kemi gjetur gjuhë të përbashkët. Kemi kërkuar me ardhë ministri i Zhvillimit Ekonomik, jemi në pritje të takohemi me të”, tha në fund Sadiku.

KALLXO.com kontaktoi edhe me drejtorin e ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava i cili tha se është në dijeni për kërkesat dhe bojkotin e punëtorëve.

“Jemi në përpjekje për t’i sqaruar të gjitha. Po punëtorët kanë edhe kërkesa tjera do shohim çfarë do ndërmarrim për to. Për momentin jam në takim”, tha Tmava.

Në vitin 2015 minatorët e Trepçës hynë në grevë, duke kërkuar që kompleksi industrial të kalojë në pronësi të shtetit të Kosovës.