Kusari-Lila kur nënshkroi koalicionin me LDK-në

Mimoza Kusari i Jep Fund Koalicionit me PDK-në në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila i ka dhënë fund bashkëpunimit me partnerin e koalicionit në këtë komunë, Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky njoftim vjen vetëm 3 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, ku koalicioni ku bënte pjesë partia e Mimoza Kusarit, Alternativa bashkë me LDK-në e Nismën  u rendit e treta.

Kusari Lila përmes një letre që i ka dërguar kryetarit të degës së PDK-së në Gjakovë, ish-deputetit Hajdar Beqa e ka njoftuar për prishjen e koalicionit për shkak siç ka thënë “performancës së dobët të drejtorëve të PDK-së”.

“Ashtu sikur ju kam mbajtur të informuar disa herë deri më tani, unë kam shprehur pakënaqësitë e mia lidhur me performancën e drejtorëve të deleguar nga PDK”, thuhet në këtë njoftim.

Kusari Lila thotë se këtë vendim nuk e ka marrë më herët për shkak të procesit zgjedhor në të cilin ishte vendi.

“Duke qenë së ditë më parë u ballafaquam me proces zgjedhor në nivel vendi, unë nuk desha të marr vendim para mbajtjes së zgjedhjeve në shkëputje të bashkëpunimit tonë në nivel lokal”, thuhet në vazhdim të letrës drejtuar degës së PDK-së në Gjakovë.

Megjithatë, Mimoza Kusari Lila nuk harruar t’i falënderoj për bashkëpunimin partnerët e deritanishëm në komunë.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi që nga dita e nesërme, më 15 qershor.

Gjatë ditës së djeshme në një prononcim për KALLXO.com, Mimoza Kusari-Lila tha se rezultati i zgjedhjeve në këtë komunë e ka bërë të mendojë nëse do t’i hyjë përsëri garës për të parën e Gjakovës.

http://kallxo.com/kusari-lila-flet-per-humbjen-e-laa-ne-gjakove/

Në Komunën e Gjakovës, koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka dalë i treti, ani pse Mimoza Kusari-Lila dikur ka qenë nënkryetare e AKR-së dhe tani kryetare e Alternativës me rreth 23%.

Në Gjakovë koalicioni PAN fitoi 41 për qind të votave, ndërsa Lëvizja “Vetëvendosje” e rendit e dyta me 30 për qind.