Mimoza Kusari- Lila, deputete

Mimoza Kusari: Ekziston Rreziku për Zgjedhje të Reja

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila, tha se ekziston rreziku që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në debatin e hapur në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, Kusari– Lila alarmoi për rreziqet që mund të vijnë nga një skenar eventual i tillë.

“Kur zgjedhjet e jashtëzakonshme bëhen të zakonshme, atëherë po bëhemi shtet në krizë të përhershme”, tha ajo.

“Kriza e krijuar po bie mbi supet e qytetarëve të Kosovës. Këtë vit, sikur në vitin 2014, Kosova do të mbesë pa rishikim të buxhetit e rrjedhimisht edhe pa shumë projekte që nuk do të përfundohen”, tha ajo.

“I kërkoj falje korit diplomatik të Kosovës dhe atyre që e përcjellin situatën jashtë dhe që besuan se Kosova do të jetë demokraci funksionale. Por ky është fillimi i fundit për ata që mendojnë se Kosovën mund ta trajtojnë si plaçkë”, tha ajo duke iu referuar koalicionit PAN.

Seanca që u nis pak pas orës 10 u ndërpre kur kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci thirri për pauzë 15 minutëshe meqë në sallë ishin 55 deputetë nga 61 të nevojshëm për ta bërë kuorumin.

Kur rinisi seanca pas 15 minutave, në sallë u lajmëruan 53 deputetë.