Milaim Zeka - Arkiv

Milaim Zeka nuk ka Ankesa për Policinë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në një komunikatë bën me dije se ka vizituar deputetin e ndaluar dje.

“Me 17 tetor 2017 monitorues të KMDLNj –së vizituan z. M. Z i ndaluar me datë 16.10.2017 që është duke u mbajtur në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë”, tregon KMDLNJ-ja.

Deputeti Milaim Zeka, sipas KMDLNj-së, sjelljen e zyrtarëve policorë e ka konsideruar korrekte.

“I ndaluari M. Z i ka deklaruar KMDLNj –së se është lajmëruar në Polici me ftesë të Policisë dhe se është intervistuar në prani të avokatit dhe se nuk ka asnjë ankesë në sjelljen e policisë gjatë intervistimit”, njofton KMDLNj-ja.

Deputeti nuk ka pasur vërejtje as për sjelljet ndaj tij në qendrën e ndalimit.

“Gjatë qëndrimit në Q. N . në Prishtinë, i ndaluari M. Z nuk ka asnjë vërejtje në sjelljen e stafit dhe nuk konsideron se ndaj tij në këtë qendër ka ndonjë veprim nga stafi që ia shkelë të drejtat e personit të ndaluar”, thuhet më tutje në sqarimin e KMDLNJ-së.

Organizata që mbron të drejtat e njeriut ka bërë me dije se deputeti “nuk ka deklaruar se ka ndonjë problem shëndetësor”.

Zeka u ndalua dje nga policia nën akuzat për shmangie nga tatimi dhe mashtrim. Atij më pas iu caktua ndalimi policor prej 48 orësh.

http://kallxo.com/milaim-zeka-ndalohet-per-48-ore/

Sipas KMDLNJ-së Zeka ka thënë që “arrestimit i ka paraprirë një linçim publik medial ndaj tij dhe familjes dhe se arrestimi ka qenë i koordinuar”.

KMDLNJ-ja në fund të komunikatës u kërkon Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorit të policisë që të përmirësojnë kushte për stafin dhe të ndaluarit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.