Mikullovci Pret Konfirmim Zyrtar nga PAN për Vazhdimin e Seancës

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci në një prononcim për KALLXO.com tha se vazhdimin e seancës konstituive do ta thërrasë “në momentin e parë” që lajmërohet zyrtarisht nga deputetët e PAN-it se i kanë numrat për votimin e kryeparlamentarit dhe të qeverisë së re.

“Seancën e vazhdoj kur të ma konfirmon zyrtarisht PAN-it se i ka bërë numrat. Sepse veç në bazë të lajmeve në media nuk mundem me thirrë seancën me i end deputetët prej Kosovës me pi nga një kafe”, tha Mikullovci për KALLXO.com

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës thotë se është i gatshëm ta thërrasë seancën brenda ditës nëse PAN-i i konfirmon numrat dhe kërkojnë vazhdimin e seancës.

“Unë nuk iu bëj ftesë atyre me ju thonë bjermani listën, ata duhet me konfirmu që i kanë numrat dhe me kërku seancën. Në atë moment që e kërkojnë seancën, atë ditë ua caktoj seancën. Pra pres konfirmimin zyrtar të tyre”, shtoi Mikullovci.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me nënkryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj për të marrë vesh se kur PAN-i dhe AKR-ja do ta njoftojnë Mikullovcin për arritjen e numrit të mjaftueshëm të votave për thirrjen e vazhdimit të seancës, por ai nuk është përgjigjur.

Aleanca Kosova e Re dje gjatë ditës u largua nga koalicioni me LDK-në dhe Alternativë kurse në mbrëmje nënshkroi marrëveshje për të hyrë në Qeveri me koalicionin PDK-AAK dhe Nisma për Kosovën.

Deri tani, deputetët janë mbledhur gjashtë herë pa mundur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për kandidatin e PAN-it pvr kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli.