Mikheil Saakashvili në protestën e sotme - Foto: REL

Mijëra Persona Kërkojnë Dorëheqjen e Presidentit Poroshenko

Mijëra persona kanë protestuar në qendër kryeqytetit ukrainas, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Petro Poroshenko.

Marshi i ditës së sotme në Kiev është organizuar nga partia e politikanit opozitar, Mikheil Saakashvili.

Pjesëmarrësit kanë protestuar nga parku Shevchenko deri tek Sheshi Europian, duke mbajtur flamuj ukrainas dhe slogane në të cilat bëhej thirrje “Dorëheqje” dhe “Ukraina pa oligarkë”.

Organizatorët e “Marshit për të ardhmen”, kanë thënë se kjo protestë shënon fillimin e një fushate që kërkon dorëheqjen e presidentit.

Rreth 2,000 zyrtarë të zbatimit të ligjit kanë qenë në detyrë në këtë protestë.

Nuk është raportuar për ndonjë incident deri më tash.

Saakashvili ka qenë president i Gjeorgjisë nga 2004 deri më 2013.

Ai ka hequr dorë nga pasaporta gjeorgjiane më 2015 dhe ka pranuar shtetësinë ukrainase për të marrë postin e guvernatorit të Odesës me kërkesë të Poroshenkos.

Saakashavili është dorëhequr nga posti i tij në Odesa në nëntor të vitit 2016, duke akuzuar qeverinë për shkatërrim të përpjekjeve të tij për të luftuar korrupsionin dhe kryerjen e reformave dhe nga ajo kohë është bërë kundërshtar i presidentit ukrainas. (REL)