Presidenti Ilir Meta

Meta i Shkruan Trump-it për Votën Kundër të Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ka shkruar letër Presidentit amerikan Donald Trump për t’ia sqaruar edhe një herë çështjen e votës kundër të Shqipërisë për vendimin që Jerusalemi të njihet si kryeqytet i Izraelit.

Meta në letër përsërit edhe një herë se vendimi i Shqipërisë për të votuar kundër ShBA-së në OKB, është marrë pa dijeninë e tij.

“Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar”, thotë Meta në letrën për Trumpin.

Ai njofton Presidentin amerikan se do të kërkojë shpjegim për këtë votë.

“Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”, thuhet në letrën e Metës.

Presidenti Meta thotë se populli shqiptar nuk harron asnjëherë ndihmën që i erdhi nga Amerika në momente të vështira.

“[Populli shqiptar]nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”, vijon letra e Metës për Trump-in.

Meta në letër siguron ShBA-në se Shqipëria do të jetë aleat i saj kurdo dhe kudo që i kërkohet kontributi.

Në fund të letrës Meta i uron Trump-it festat e fundvitit.