Presidenti shqiptar Ilir Meta duke folur për gazetarët. Foto: Malton Dibra/LSA

Meta Autorizon Qeverinë të Negociojë Kufirin Detar me Greqinë

Pas dy refuzimeve, presidenti Ilir Meta lëshoi autorizimin për fillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e “shellfit kontinental”, problemit që ka mbajtur të vështira marrëdhëniet mes të dy vendeve që nga viti 2010.

Presidenti “autorizoi sot Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar nga zyra e presidentit të hënën.

Ndarja e shellfit kontinental mes Shqipërisë dhe Greqisë u miratua fillimisht në vitin 2009, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2010 me argumentin se cenonte integritetin territorial të Shqipërisë.

Prapaskenat e negociatave të kryera në vitet 2008-2009, të cilat u ekspozuan për publikun pas rrjedhjes së kabllogrameve të diplomacisë amerikane në vitin 2011, treguan se Qeveria e Greqisë në atë kohë e shantazhoi Shqipërinë duke kushtëzuar integrimin europian të vendit me një politikë quid pro quo, në bazë të së cilës kërkoi zbatimin e praktikave të ndryshme në ndarjet e pjesëve të ndryshme të kufirit detar mes dy vendeve në përfitim të Greqisë.

Qeveria aktuale do të duhet të negociojë me Greqinë një marrëveshje të re, e cila do të duhet të ratifikohet dhe dekretohet para se të hyjë në fuqi.