Takimi Mesiq- Haradinaj | Foto: ZKM

Mesiq: e Përjetshme Miqësia me Haradinajn

Në një takim ku i uroi detyrën Kryeministrit Ramush Haradinaj, ish-kryetari i Kroacisë Stipe Mesiq miqësinë me të e cilësoi të përjetshme, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Haradinajt.

“Ish-kryetari kroat Mesiq nga ana e tij është shprehur se funksionet politike janë kalimtare, porse miqësia me Ramush Haradinajn dhe me popullin e Kosovës do të jetë e përjetshme”, thuhet se deklaroi Mesiq në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim me Mesiqin, Haradinaj e siguroi atë se do të kujdeset për komunitetin kroat të Kosovës.

“Në Kosovë jeton një komunitet i vogël kroat dhe unë si kryeministër i vendit, në asnjë moment nuk do t’i lë ata të vetëm. Do të jem pranë tyre”, tha Haradinaj.

Duke e falënderuar Mesiqin për mbështetjen e dhënë Kosovës në vitet ’90, Haradinaj tha se rrugëtimi i Kroacisë drejt NATO-s dhe BE-së është një shembull i mirë në të cilin Kosova duhet të mbështetetet gjatë rrugës së saj euro-atlantike.

Mesiq kishte vizituar selinë e AAK-së në shkurt të këtij viti në kohën kur Ramush Haradinaj po mbahej në Francë pas një fletarresti të INTERPOL-it të lëshuar ngaa Serbia.

Mesiq atëherë kishte thënë se miku i tij Haradinaj do të lirohet. Haradinaj ishte liruar dy muaj më vonë.

http://kallxo.com/mesiq-miku-im-haradinaj-te-kthehet-ne-kosove/