Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Foto: MASHT

Mësimi Gjithëditor, Faktor Kryesor për Ngritjen e Cilësisë në Arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka bërë sot prezantimin e gjendjes ekzistuese të hapësirave shkollore në tërë vendin, si dhe të hapësirave të nevojshme për realizimin e mësimit tërë ditor.

Ai tha se mësimi tërë ditor është qëllimi i planit të Qeverisjes tonë për këtë mandat.

“Qëllimi i arsimit tërë ditor është që të kemi një ngritje të cilësisë së arsimit parauniversitar, pra është njëri nga faktorët kryesorë që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së arsimit, dhe mbi këtë bazë ne kemi vlerësuar si të nevojshme që ta dimë me saktësi sa shkolla mungojnë në Kosovë dhe të gjejmë mundësit për ti pasur këto shkolla”, tha Bytyqi.

Ai poashtu shtoi se për zbatimin e këtij plani mbetet të diskutohet me Qeverinë e Kosovës dhe njëkohësisht me donatorë të ndryshëm që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së kredisë për këtë projekt.

“Do të bisedojmë me Bankën Botërore sepse ka praktika të tilla që financon ndërtimin e shkollave dhe pse jo ne si Kosovë të marrim një kredi të butë për ndërtimin e shkollave”, tha Bytyqi.

Në bazë të hulumtimit të bërë nga MASHT, sektori i edukimit në Kosovë ka 1157 ndërtesa shkollore, shumica e të cilave punojnë në dy ndërrime.

Në lidhje me fillimin e mësimit tërë ditor, Ministri tha se nuk do të fillojë në të gjitha shkollat.

“Mësimi tërëditor do të fillojë në shkollat ku janë kushtet për të filluar, dhe jo në shkollat ku nuk janë kushtet, pasi fillimi në ato shkolla ku nuk janë kushtet do të shkaktojë dëm te nxënësit”, tha Bytyqi.

Në bazë të hulumtimit nga MASHT, Komuna e Prishtinës ka më së shumti nevojë për ndërtimin e shkollave në të cilën janë paraparë të ndërtohen 24 shkolla ndërsa në komunat tjera numri i shkollave që duhet ndërtuar është më pak se dhjetë.