Mësimdhënësve të ’90-ve u Njihet Kontributi

Qeveria e Kosovës njoftoi sot se do t’ua njohë punën e kryer mësimdhënësve të sistemit arsimor që veprimtarinë e zhvillonte nëpër shtëpi në vitet 1989-1999.

“Aplikimi për këtë të drejtë, të njohur edhe me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, do të fillojë dhe do të njihet menjëherë për të gjithë punonjësit e arsimit në atë periudhë të rëndësishme historike për popullin e Kosovës dhe për arsimin në Kosovë,” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje sipas njoftimit është arritur gjatë një takimi mes ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ministrit të  Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në koordinim të plotë me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut.

Kryetari  i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës Rrahman Jasharaj tha për KALLXO.com që kjo marrëveshje është një e arritur e madhe për qeverinë dhe sindikatën.

“ Fitore e madhe e qeverisë dhe SBASHK-ut është se nuk do të kemi më defekte, nuk do të kemi mësimdhënës të dëmtuar, por do të kemi mësimdhënës të barabartë me të tjerët dhe ata do ta gëzojnë pensionin aktual të punës,” tha Jasharaj.

Por ende nuk e di se kur do të nisin t’u paguhen kontributet për atë dekadë këtyre mësimdhënësve.

“Benefitet do të fillojnë së aplikuari pasi që Qeveria e Kosovës do t’i shqyrtojë edhe njëherë për shkak se si duket ka edhe implikime goxha të mëdha buxhetore. Mbase do të ulemi dhe të bisedojmë edhe njëherë,” tha Jashari.

Ai tregoi se si do të paguhet kontributi i punës së këtyre mësimdhënësve.

“Nuk do të kemi mësimdhënës që nuk do tu njihen vitet 1989 – 1999. Do t’u njihen këto vite dhe do të kenë pensionin e merituar 158 euro, me kusht që ai pension të ngrihet varësisht nga vitet e përvojës, por edhe nga kualifikimi,” deklaroi ai.

Qeveria rriti pensionet e kontributdhënësve nga 140 në 158 euro më 8 janar të këtij viti.

Atë ditë në mbledhjen e qeverisë Ministrja për Dialog Edita Tahiri e pyeti ministrin për Punë dhe Mirëqenie Sociale Arban Abrashin se çfarë do të bëhet pikërisht me mësimdhënësit e të ’90-ve.

Abrashi tha se është duke u punuar për këtë kategori.

http://kallxo.com/158-euro-pensionet-per-kontributdhenesit/

Këto kontribute mësimdhënësve nëpër shtëpitë-shkolla do t’u jepen pasi ta arrijnë moshën e pensionimit.

Kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj, kur u pyet nga KALLXO.com rreth mundësisë së fryrjes së listave të këtyre mësimdhënësve e përjashtoi plotësisht një gjë të tillë.

“ Pjesën më të madhe kemi dokumentacion, por pjesën tjetër edhe drejtorët dhe të punësuarit në shkolla e dinë për secilin të punësuar në ato vite. Edhe ministria ka shënime për secilin individ. Edhe në listat e pagave i kanë të shënuara të gjitha vitet e punës që i kanë bërë dhe nuk paraqet asnjë problem dhe nuk do të ketë rrezik për fryrje eventuale të listave sepse çdo gjë është e mundur  të dokumentohet,” deklaroi Jashari.