Mësimdhënësi Padit Drejtorinë e Arsimit për Mosplotësim të Normës

Mësimdhënësi Gjon Palushaj ankohet se nuk ka normë të plotë që nga viti 2008.

Mësimdhënësi i shkollës fillore “At Gjergj Fishta” të Jagodës, Gjon Palushaj, ka ngritur padi në Gjykatë kundër Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Klinës.

Ai ankohet se kjo Drejtori qe disa vite nuk po i siguron normë të plotë të punës, për çka thotë se po dëmtohet në pagë.

Për situatën e tij Palushaj është ankuar edhe në KALLXO.com.

“Unë dua orët e mia edhe ju kam drejtuar disa herë Drejtoratit të Arsimit. Unë jam magjistër i shkencave të biznesit, unë du m’i pasë orët e mia, megjithëse ka vende të punës, ka. Në gjimnaz me shkollë të mesme punojnë, me kolegje private punojnë, me bachelor. Unë master, magjistër edhe jam i papunë”, ankohet Palushaj.

Palushaj tregon se që nga fillimi i vitit shkollor i janë ndarë vetëm 10 orë mësimi në javë. Në vend të lëndëve për çka është i shkolluar, ai jep mësim në lëndët e muzikës, artit dhe mësim zgjedhor – ekonomi.

Mosplotësimi i normës ai thotë se ndërlidhet me çështje politike.

“Unë mendoj që kjo është kryekëput çështje politike. Po të them të drejtën vetëm pse unë i kundërshtoj padrejtësitë, kjo është”, thotë ai.

Për atë që e quan padrejtësi, Gjon Palushaj thotë se është ankuar në Inspektoratin e Arsimit dhe atë të Punës.

Për këtë të fundit thotë se i ka dhënë të drejtë por vendimin nuk e ka përfillur Drejtoria e Arsimit.

E drejtori i Arsimit, Hajdin Morina, tha përmes telefonit se raste si ky i Gjon Palushajt ka shumë në shkollat e komunës së Klinës.
“Ne punojmë me ligje dhe udhëzime administrative. Secilit punëtor çka i takon ne i dhurojmë orët. Zvogëlimi i normave ka të bëjë me uljen e numrit të nxënësve dhe për ketë kemi shumë probleme. Nuk kemi asnjë shkollë që plotëson 20 orë për të gjithë mësuesit e vetë. Atij, Gjon Palushaj, kurdo që i plotësohen orët do t’i ketë”, tha Morina.

26 Shkurt 2017 - 11:45

Shkodran Nikçi 26/02/2017 - 11:45
NDËRVEPRIMI0

Mësimdhënësi Padit Drejtorinë e Arsimit për Mosplotësim të Normës

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI

Send this to a friend